Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës të “Të ngjiturit të Zojës në Qiell”.
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së shtunës, kësaj
here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të solemnitetit të të Ngjiturit
të Zojës së Bekuar në Qiell me trup e me shpirt. Të nderuar dëgjues e vëllezër
e motra në Krishtin, çdo vit në zemër të verës kthehet solemniteti i Të Ngjiturit
të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, festa më e lashtë mariane. E për ne besimtarët
është një rast i volitshëm për t’u lartuar me Marinë Virgjër në lartësitë e shpirtit,
ku thithet ajri i pastër i jetës së mbinatyrshme e kundrohet bukuria më e vërtetë
dhe e plotë, që është shenjtërimi. Atmosfera e kremtimit të kësaj feste është e mbushur
me gëzimin e Pashkëve. “ Sot Maria është ngjitur në qiell: galdoni e gëzohuni,
me Krishtin mbretëron përgjithmonë. Aleluja”. Ky kumtim na flet për një ngjarje tejet
të jashtëzakonshme dhe unike, por që e mbush zemrën e njeriut me shpresë e lumturi.
Vërtetë, Mari është krijesa e parë e njerëzimit të ri, krijesa në të cilën misteri
i Krishtit - Mishërimi, Vdekja, Ngjallja, të Ngjiturit të Krishtit në qiell kanë pasur
efektin apo rezultatin e plotë, duke shpëtuar nga vdekja e duke e transferuar (bartur)
me shpirti e me trup në mbretërinë e jetës së pavdekshme. Për këtë Virgjëra Mari,
sikur na kujton Koncili II i Vatikanit, për ne është shenjë e shpresës së sigurt dhe
ngushëllim. Pra, festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ pohon se dashuria,
në dukje ligështi e Hyjit, fiton mbi pushtetin e egoizmit e të dhunës. “E gjithë
historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë së Zotit deri në dhurimin e
plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen e Zotit, deri në urrejtjen
për të tjerët”, thotë Shën Agostini. Festa e sotme na fton të kemi besim, sepse
dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket
si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës. Në leximin e sotëm nga Zbulesa, spikasin
dy figura: ajo e gruas së veshur me diell, simbol i dashurisë së Hyjit dhe ajo e dragoit
të kuq vigan, simbol i dashurisë për vetveten. Me figurën e dragoit Shën Gjoni simbolizoi
pushtetin e perandorëve romakë antikristianë, që nga Neroni te Domiciani: pushtet
që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik: Përballë
këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie për
të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të
tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se
fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit
e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë. Dragoi pra simbolizon pushtetin
e egoizmit absolut, të terrorit, të dhunës. Përfaqëson diktaturat antikristiane të
të gjitha kohërave, si nazizmi e komunizmi, në shekullin e kaluar. Dukej e pamundur
që feja të mbijetonte: por edhe këtu, në fund të fundit, dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen.
Por dragoi nuk është mposhtur ende plotësisht: vijon të ekzistojë në forma të reja: “Ekziston
në format e ideologjive materialiste, që na thonë se është absurde të mendosh për
Hyjin, është absurditet t’u bindesh dhjetë urdhërimeve të Tënzot; na thonë se është
diçka e vjetruar, që i përket një kohe të shkuar e se ajo që vlen, është ta jetosh
jetën për vete, se vlen vetëm konsumi, egoizmi, dëfrimi… E përsëri të duket absurde,
e pamundur t’i kundërvihesh një mendësie të tillë, që sundon me gjithë forcën e saj
mediatike, propagandistike. Duket e pamundur sot të mendosh për një Hyj që krijoi
njeriun e që u bë fëmijë e se ky fëmijë do të ishte sundimtari i vërtetë. Edhe sot
dragoi duket e pathyeshme, por edhe sot Hyji është më i fortë se dragoi e dashuria
është ajo që fiton, jo egoizmi”. Më pas kemi figurën e gruas: është e veshur
me diell, sepse jeton në dritën e Hyjit, e ka hënën nën këmbë, sepse e ka lënë pas
vetes vdekjen. E na thotë “Guxim! Në fund fiton dashuria! Guxoni të jetoni kështu,
pa u frikësuar nga kërcënimet e dragoit”. Gruaja nxjerr në dritë foshnjën me
dhimbje: simbol i Kishës shtegtare në të gjitha kohërat: në të gjitha breznitë duhet
ta lindë përsëri Krishtin, ta sjellë në botë Krishtin me dhimbje të madhe në gjirin
e këtij njerëzimi që vuan. Është Kishë e përndjekur nga dragoi në të gjitha kohërat,
por në të gjitha kohërat jeton në dritën e Hyjit. E kështu në të gjitha mundimet Kisha,
duke vuajtur, fiton e është garanci e pranisë së dashurisë së Hyjit kundër të gjitha
ideologjive të urrejtjes e të egoizmit. E dragoi edhe sot dëshiron ta përpijë Hyjin
e bërë foshnje: ‘mos mendoni për këtë Hyj, i ka kaluar koha!’ – na thonë – por edhe
sot ky Hyj i ligsht, është i fortë, është forca e vërtetë. E kështu festa e ‘Të
ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë: Është ftesë
për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo
vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj. Të
japim jetë e jo të marrim jetë. E pikërisht kështu jemi në rrugën e dashurisë, që
do të thotë ta humbasësh vetveten e që, megjithatë, është e vetmja rrugë në të cilën
duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë. Atëherë
mund të themi me plot gojën se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa
e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje e ligsht, është forca e vërtetë e botës. Dashuria
është më e fortë se urrejtja. Po kështu duhet të kujtojmë se festa e ‘Të ngjiturit
të Zojës në Qiell’ bazohet në Shkrimin Shenjt, Bibël, që na e paraqet Virgjërën të
bashkuar fort me Jezusin në luftën kundër armikut djallëzor, deri në fitoren e plotë
mbi të. Është fitore që gjen shprehjen e vet kryesisht në kapërcimin e mëkatit e të
vdekjes. E prandaj Maria, solidare me Jezusin edhe në ngjallje, u ruajt nga kalbja
në varr, për t’u ngjitur me shpirt e korp në lumturinë e Qiellit - siç pohoi Piu XII,
duke shpallur, më 1 nëntor 1950, Dogmën e të ngjiturit të Zojës në Qiell, në Kushtetutën
apostolike “Munificentissimus Deus”. Duke u ngjitur në Qiell Maria nuk u largua nga
ne, e kemi edhe më pranë e drita e saj ndriçon jetën tonë e historinë e mbarë njerëzimit:
Të tërhequr nga shkëlqimi qiellor i Nënës së Shëlbuesit, t’i drejtohemi me besim
asaj, që nga lart na sheh e na mbron dhe ndërmjetëson pranë Zotit të Gjithëpushtetshëm.
Të gjithë kemi nevojë për ndihmën e saj e për ngushëllimin e saj, për të përballuar
provat e sfidat e përditshme: kemi nevojë ta ndjejmë pranë si nënë e si motër në çdo
çast të jetës sonë. E që të mund të kemi një ditë edhe ne përgjithmonë të njëjtin
fat, t’i ngjasim tani, duke ecur në rrugën e Krishtit e të shërbimit bujar ndaj vëllezërve.
Kjo është e vetmja mënyrë për ta parashijuar, në sa jemi akoma në shtegtimin tonë
tokësor, gëzimin e paqen që e jeton plotësisht kush arrin në cakun e pamort të Parajsës.
Shembulli i Marisë tregon se Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë
banesën e vet. Krishti dëshiron të jetojë edhe në zemrën tonë. Kisha – shtëpi e Hyjit
rritet në se ne, njerëzit, e pranojmë Zotin me fenë tonë, me adhurimin tonë, me shpresën
tonë e me dashurinë tonë, duke u bërë kështu, gurë të gjallë të kësaj shtëpie shpirtërore.Virgjëra
Mari na dhuroftë të gjithëve ndjenja të mirëkuptimit, të vullnetit të marrëveshjes
e të dëshirës së harmonisë! Liturgjia e Fjalës Leximi
i parë Zb 11, 19; 12, 1-6.10
Gruaja është imazhi i popullit të Hyjit, sepse
është nusja e Hyjit dhe nëna e Mesisë. Kundër popullit dhe kundër Mesisë ngrihet
Dragoi, armiku i njeriut, mëshirimi i së keqes, që shkatërron qiellin e tokën. Krishti
i shmanget fuqisë së tij me anë të ringjalljes. Maria është imazhi i gjallë i
popullit të Hyjit, ka jetuar si Krishti provën e besimit dhe kundërshtimin e kryqit.
Dhe tani është imazhi i lavdishëm i së ardhmes së premtuar të bijve të Hyjit. Lexim
prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Atëherë u hap tempulli i Hyjit që
është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shërthyen vetëtimë,
gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh! Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme:
një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje!
Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes. Pastaj në qiell u duk edhe
një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi
kokë shtatë kurorë! Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit –
dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta
lindte fëmijën, t’ia hante. Dhe Ajo lindi fëmijën – një djalosh – që do të sundojë
të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyji dhe te froni
i tij, kurse Gruaja iku në shkreti ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej
për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë. Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell,
që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë
dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë
që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë. Fjala e Zotit
Psalmi
44
Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha ----- -----
----- Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, në të djathtën tënde të qëndron
mbretëresha, në ar Ofiri e ngrirë. ----- ----- ----- Më vështro, o bijë,
shih e dëgjo: harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd. Nëse mbretit
do t’i pëlqejë bukuria jote, nderoje atë, ai është zotëria yt! ----- -----
----- Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza. Me hare u prijnë e me brohori, ja,
po hyjnë në pallatet e mbretit! ----- ----- -----
Leximi i dytë 1
Kor 15, 20-26
Shën Pali paraqet nga njëra anë Adamin e parë si atë që ka mëkatuar
dhe është i kërcënuar nga vdekja dhe nga boshllëku i dëshpërimit dhe nga ana tjetër
paraqet Krishtin, Adami i përsosur ai që ka fituar mbi mëkatin dhe vdekjen dhe ka
dhuruar jetën nëpërmjet ringjalljes.
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit
apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve!
Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri
nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. Dhe, sikurse në Adamin vdesin të
gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse,
secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit,
ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit
Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. Sepse Atij i takon
të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i
fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Fjala e Zotit.
ALELUJA,
aleluja. Maria u ngjit në qiell: galdojnë aradhat engjëllore. Aleluja
Ì
Ungjilli Lk 1, 39-56
Në këngën “Manjifikat” që Maria i drejtohet Hyjit Shpëtimtar
shfaqet mënjëherë kontrasti mes të fuqishmve dhe mendjemëdhenjve nga njëra anë dhe
e të përvuajturve dhe të varfërve nga ana tjetër. Mbi këtë turmë, në të cilën
shkëlqen Nëna e Zotit e veshur me diell lartësohet fuqia e Hyjit që mbron dhe ushqen
bijtë e tij. Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Ndër
ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri
në sthtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi
përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me
Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe
i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna
e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja
prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka
të qe thënë prej Zotit!” Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti
im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren
e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.Sepse
punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira
e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi
poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të
përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati
premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.” Maria
ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet. Fjala
e Zotit.
Më tepër programin kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit
të solemnitetit të Ngjiturit të Zojës në Qiell mund ta dëgjoni këtu…..