2010-08-13 15:47:00

Benedikti XVI: martesa, ikonë e dashurisë së Zotit, është e pazgjidhshme.


(13.08.2010 RV)“Nuk janë më dy, janë një, një trup i vetëm!”. Në Ungjillin e sotëm, Jezusi nënvizon se martesa është lidhje e pazgjidhshme. Na sjell ndër mend, pastaj, se që në zanafillë, Zoti i krijoi burrin e gruan, që të bëheshin një trup e një gjak i vetëm. E farizenjve, që i kujtojnë se Moisiu u dha burrave të drejtën ta ndajnë gruan, Zoti u përgjigjet se kjo leje u dha për shkak se i kishin zemrat prej guri. Por në fillim nuk ishte kështu. Për martesën, ikonë e dashurisë së Zotit, Benedikti XVI ka folur në shumë raste. Po kujtojmë sot, disa nga meditimet e Papës për këtë sakrament, që përbën bazën e vazhdimësisë së jetës mbi tokë:RealAudioMP3

“Dashuria njerëzore është rrugë e zgjedhur nga Zoti, për t’iu dëftuar njeriut”. Benedikti XVI vë, kështu, theksin mbi lidhjen e jashtëzakonshme ndërmjet Sakramentit të martesës e Misterit Trinitar. Pikërisht në këtë lidhje dashurie, nënvizon Papa, mund të dallojmë nga larg jo vetëm figurën e Zotit, sipas përfytyrimit të krishterë, por edhe figurën e njeriut, të rrugës së tij e të fatit të tij tokësor e të amshuar njëkohësisht:
“Zoti zgjodhi rrugën e dashurisë, për të zbuluar misterin e jetës së tij trinitare. Por edhe lidhja e ngushtë, që ekziston ndërmjet figurës së Zotit Dashuri e dashurisë njerëzore, na krijon mundësinë të kuptojmë se figura e një Zoti të vetëm përkon me martesën monogamike. Martesa, bazuar mbi një dashuri të vetme, përfundimtare, bëhet ikonë e lidhjes së Zotit me popullin e vet e anasjelltas: mënyra sesi do Zoti, bëhet masë për dashurinë njerëzore (Fjalim drejtuar anëtarëve të Institutit Gjon Pali II për studimin e martesës e të familjes, 11 maj 2006).
Papa shpjegon se rrënjët e martesës e të familjes duhen kërkuar tek e vërteta mbi njeriun e mbi fatin e tij. Shkrimi Shenjt tregon se prirja për të dashur është pjesë përbërëse e shembëllimit të Zotit me njeriun, shembëllim që vetë Krijuesi deshi ta vuloste mbi krijesën e vet:
“Ndryshimi seksual ndërmjet trupit të burrit e atij të gruas nuk është një e dhënë e thjeshtë biologjike; ka një kuptim shumë më të thellë: shpreh atë formë të dashurisë, përmes së cilës burri e gruaja, duke u bërë një trup e një gjak i vetëm, mund të realizojnë bashkimin e vërtetë, që i hap rrugën lindjes së krijesës së re, vazhdimësisë së jetës(Fjalim drejtuar anëtarëve të Institutit Gjon Pali II për studimin e martesës e të familjes, 11 maj 2006).
Prekem thellë, tregon Papa, kur shfletoj Shkrimin Shenjt e që në faqet e para, menjëherë pas rrëfimit mbi krijimin e njeriut, gjej përkufizimin e martesës:
Jemi në fillim, e megjithatë, na shpjegohet ç’është martesa; e të njëjtin përkufizim e gjejmë edhe në Besëlidhjen e Re. Martesë do të thotë ta duash tjetrin aq, sa të bëhesh një jetë e vetme, një korp i vetëm, që nuk mund të ndahet kurrë më; një jetë e re, që lind nga kjo shkrirje dashurie, e cila bashkon e krijon ardhmërinë” (Takim me të rinjtë e dioqezës së Romës, 6 prill 2006).
Papa vëren se martesa është sakramenti i parë, i themeluar nga vetë Zoti që në krijim. Është, shpjegon, sakrament që Krijuesi i gjithësisë e shkroi me dorën e vet hyjnore në qenien njerëzore:
Prej këndej mund të themi se sakramenti i martesës nuk është shpikje e Kishës, është i krijuar, vërtet, njëherësh me njeriun, si i tillë, si fryt i dashurisë, që jep jetë, përmes së cilës burri e gruaja gjejnë njëri-tjetrin e kështu, gjejnë Krijuesin, që i thirri ta duan njëri-tjetrin” (Takim me të rinjtë e dioqezës së Romës, 6 prill 2006).
Atëherë mund të themi se familjet e krishtera, porosit Papa, duhet ta dëshmojnë bukurinë e martesës, përmasën e saj si dashuri e pafundme. E kjo detyrë sot bëhet më e ngutshme se kurrë, përballë përhapjes së rrymave kulturore, të frymëzuara nga hedonizmi e relativizmi, që kërkojnë vetëm kënaqësinë, pa detyrime e lirinë, pa asnjë cak, edhe atje ku caqet i ka vënë vetë dora e Zotit:
“Uroj, thotë Papa, që bashkëshortët e krishterë, të vetëdijshëm për hirin që kanë marrë, të ndërtojnë një familje, e cila ia hap portat jetës e di t’i përballojë sfidat e kohës sonë. E sotmja ka vërtet nevojë për një dëshmi të tillë!” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 8 tetor 2006).
Lidhet ngusht, ky mesazh i Papës, edhe me plakjen e popullsisë në shoqëritë e vendeve të industrializuara, fenomen ky, i cili shoqërohet me mungesën e numrit të nevojshëm të të rinjve, që përtërijnë popullsinë. Benedikti XVI e di se në bazë të këtij problemi janë disa shkaqe të ndërlikuara, por, nënvizon, në fund të fundit duhet të pranojmë se shkaqet kryesore janë të natyrës morale e shpirtërore. E një gjendje e tillë lidhet me mungesën e fesë, të shpresës e të dashurisë. Prandaj, duke rikujtuar Enciklikën e tij të parë ‘Zoti është dashuri’, Benedikti XVI pohon se dashuria, për natyrën e vet, drejtohet nga amshimi. Ndoshta, vijon të na kujtojë Papa, pikërisht mungesa e kësaj përmase krijuese të dashurisë, na shpjegon shkakun pse shumë çifte bashkëjetojnë, pa u martuar, pse shumë martesa dështojnë e pse përqindja e lindjeve ka rënë në mënyrë të ndjeshme. E Papa vijon gjithnjë t’i nxisë besimtarët, e sidomos familjet, ta ndihmojnë Kishën në misionin e saj, për të dhënë dëshmi të humanizmit të vërtetë, të ndriçuar nga Ungjilli.







All the contents on this site are copyrighted ©.