2010-08-12 14:03:36

Sot më 12 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjovana Shantal, rregulltare


(12. 08.2010 RV) Jeta e Gjovana Fremiň lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me shën Françeskun e Sales, drejtuesi e udhëheqësi i saj shpirtëror, për të cilin më pas u bë frymëzuese e bashkëpunëtore e ngushtë.
Zhanë Fransua Fremiň lindi në Dizhon të Francës më 28 janar 1572. Mbiemrin e ri e mori pas martesës me baronin Shantal. Zoti e bekoi ketë martesë me shtatë fëmijë. Si mbeti e vejë, Gjovana nisi të ndjente gjithnjë më tepër nevojën të largohej nga bota e t’i kushtohej plotësisht Zotit e kështu ia besoi veten Zemrës së Krishtit, duke e shkruar emrin e Zotit në kraharorin e vet, pranë zemrës, me hekur të skuqur.
Nën udhëheqjen shpirtërore të Shën Françeskut të Sales, themeloi bashkëvëllazërinë e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta. Bijat e saj rregulltare njihen me emrin Vizitantinet. Vdiq në kuvendin që kishte ngritur vetë, në Moulë të Borgonjës, më 13 dhjetor 1641. Para se të vdiste, kishte arritur të themelonte 75 shtëpi, shumë prej të cilave vijojnë edhe sot të strehojnë “Engjëjt e bardhë” të spitaleve, që shërbejnë ditë-natë tek koka e njerëzve të sëmurë, të varfër e të vetmuar.
Kujtojmë se ishte gjyshja e Mari de Rabutë-Shantal, markezë dë Sévinjé, autore e veprës së famshme ‘Lettres’, që zë një vend të rëndësishëm në letërsinë epistulare franceze.
Njeriu që ushqehet vazhdimisht me fjalën e Zotit, bëhet i përvujtë e i dëgjueshëm, si fëmijët: prandaj Ati qiellor nuk e lëshon kurrë dore, e ruan, e ushqen e ia mbush shpirtin me gëzimin, që vetëm Ai di ta japë. Ky reflektim buron pikërisht nga liturgjia e festës së Shën Gjovana Françeska Shantal, rregulltare.







All the contents on this site are copyrighted ©.