2010-08-12 15:30:52

Në Poloni gjithnjë në rritje dëshira për shtegtim.


(12.08.2010 RV)Shtegtimi fetar në Poloni është kthyer në një lloj kulture shoqërore, shpirtërore. Luhatet nga 400 deri në 500 mijë numri i personave që çdo vit marrin pjesë në shtegtime në këmbë drejt shenjtëroreve. Të dhënat janë botuar nga Instituti i gjeografisë së fesë i Universitetit Jagellonian të Krakovit. Afërsisht gjysma e numrit të shtegtarëve regjistrohet në shenjtëroren mariane të Jasna Gorës, në Çestokovë.
Në Poloni ka 500 shenjtërore për ku drejtohen shtegtarë të shumtë. Disa janë të reja por gjithnjë e më popullore, si ajo e Uagievnikit, që i kushtohet Mëshrirës Hyjnore, ose shenjtërorja mariane e Likenit. Polakët gjithashtu shkojnë me shumë dëshirë edhe në shenjtërore të tjera jashtështetit, veçanërisht në Tokë Shenjte dhe në Santiago të Kompostelës. Shtegtimet bëhen në këmbë, me autobus, me biçikleta e deri edhe me kuaj. Kështu, gjithnjë sipas të dhënave të Universtitetit Jagellonian janë 7-8 milionë polakët që çdo vit shkojnë në shtegtim në një kohë kur 5 përqind i numrit të të gjithë shtegtarëve të krishterë, në të gjithë botën, janë polakë.
Kanë fituar shumë popullaritet në Poloni shtegtimet në bazë grupi, si ato të studentëve, të punëtorëve, të dëgjuesve të Radio Marisë etj.
Në veçanti shenjtëroja e Jasna Gorës mbushet plot më 3 maj, kur kremtohet Solemniteti i Mbretëreshës së Polonisë, kur dynden maturantë që përgatiten për provimet. Po ashtu Jasna Gora mbushet me shtegtarë edhe më 16 gusht, dita e të Ngjiturit të Zojës në Qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.