2010-08-12 14:26:53

Njëqind vjet më parë lindi filozofi katolik Del Noce: parashikoi pasojat e ateizmit e të indiferentizmit.


Mbushen njëqind vjet nga lindja e Augusto Del Noçe, një nga filozofët më të mëdhenj katolikë të nëntëqindes. Del Noçe analizoi e denoncoi me mprehtësi të këqijat dhe kontradikat e kohës sonë. Posaçërisht vuri theksin mbi pasojat tragjike, që do të kishte përhapja e ateizmit dhe e indiferencës fetare. Filozof i traditës, Del Noçe profetizoi rënien e komunizmit në ato vite, kur të krijohej përshtypja se sistemi sovjetik nuk do të shembej kurrë.
Mbi aktualitetin e mendimit delnoçean, reflekton, në mikrofonin tonë, Xhan Franko Lami, profesor i filozofisë së politikës, në Universitetin ‘La Sapienza” të Romës:

Përgjigje: - Aktualiteti i Del Noçes lidhet ngusht me metodën e tij të të menduarit, metodë kritike, që e gërryen sigurinë e rreme të modernitetit, duke i dhënë arsye mendimit të traditës.

Pyetje: - Del Noçe ishte, thënë me dy fjalë, njeri që shkoi kundër rrymës e, njëkohësisht, mendimtar profetik, e për këtë iu desh t’i paguante një haraç të rëndë kohës së vet…

Përgjigje: - Kundër rrymës sepse, sigurisht, me kërkimin e tradicionalitetit të mendimit, i ra ndesh shumicës së fjalëve, të kategorive, të cilat sot përbëjnë substratin, kuptimin e zakonshëm të jetës së përditshme; profetik… mjafton të kujtosh rastin e shembjes së Murit të Berlinit, për të cilën ishte i bindur, në një kohë kur të tjerëve as nëpër mend nuk u shkonte se mund të ndodhte një gjë e tillë. E Muri ra, për fat të keq në vitin 1989, vit i vdekjes së Filozofit. Kështu ai nuk mundi ta shijonte sa duhej fitoren teorike e praktike të mendimit të tij.

Pyetje: - Duke folur për Del Noçen, mendimi të shkon menjëherë tek Benedikti XVI…

Përgjigje: - Sigurisht që do të ishin takuar si në planin teorik, ashtu edhe në atë praktik, me Benediktin XVI. Mendoj vetëm për Enciklikën e fundit, që flet për dashuri e vërtetësi. Ja, mund të themi se në ftesën për ta thënë të vërtetën me dashuri, në kërkimin shkencor të së vërtetës, në fushën e një procesi mendimi, që të bën të rritesh, gjejmë pikërisht modelin filozofik të Del Noçes.







All the contents on this site are copyrighted ©.