2010-08-12 14:42:04

Falja është mënyra me të cilën Zoti fiton: reflektime të Benediktit XVI mbi Ungjillin e mëshirës


(12.08.2010 RV)RealAudioMP3 Nuk të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë”: kjo është këshilla e Ungjillit të sotëm, që Jezusi ia thotë Pjetrit, i cili e pyeste sa sa herë ishte e drejtë të falte. Krishti tregon shembëlltyrën e pronarit, që i fal borxhin shërbëtorit të vet, i cili, nga ana e tij, nuk tregon po të njëjtën mëshirë për një tjetër, që i kishte borxh. Benedikti XVI është ndalur shpesh në reflektime mbi mëshirën e Zotit e mbi forcën e faljes.
Falja, pat thënë Papa në katedralen e Albanos, më 21 shtator 2008, është mënyra me të cilën fiton Zoti. Pavarësisht nga brishtësia jonë, Hyji, plot mëshirë e dëshirë për falje, e shndërron jetën e njeriut dhe e thërret ta ndjekë. Dashuria e Zotit është pa kufi e na fton të marrim pjesë në të, në këtë dashuri, që buron nga zemra e Jezusit, nga Eukaristia:
“Sa herë që i afroheni elterit për Kremtimin eukaristik, hapjani zemrën faljes e pajtimit vëllazëror, të gatshëm për të pranuar ndjesën e atyre që ju kanë fyer e për t’i falur” (Mesha në katedralen e Albanos, 21 shtator 2008).
Kjo falje lind nga kthimi i zemrës, nga përvuajtëria, nga pranimi i faktit, që edhe ne jemi mëkatarë. “Pikërisht duke e ulur veten sëbashku me Krishtin – vëren Papa – ne ngrihemi deri tek Ai e deri tek Zoti”:
“Zoti është Dashuri, prandaj zbritja, përulja, që kërkon dashuria, është njëkohësisht edhe ngjitje e vërtetë. Pikërisht kështu, duke e ulur veten, ne arrijmë lartësinë e Jezu Krishtit, lartësinë e vërtetë të njeriut” (Homelia, Mesha e Rrëshajave, 15 maj 2005).
Edhe Kisha lind nën yllin e faljes. Me të vërtetë, pikërisht falja është pushteti i ri që Jezusi u jep Apostujve, në ditën e Rrëshajave. Falja i lidh njerëzit. Fiton mbi ndarjet e njerëzimit:
“Forca, që hap e bën që të tejkalohet Kulla e Babelit, është forca e faljes. Jezusi mund ta dhurojë faljen dhe fuqinë për të falur, pasi Ai vetë vuajti pasojat e fajit dhe i shkriu në flakën e dashurisë së Tij. Falja vjen nga Kryqi; ai e shndërron botën me dashurinë që dhuron. Zemra e Krishtit e hapur mbi Kryq është porta përmes së cilës hyn në botë hiri i faljes. E vetëm ky hir mund ta shndërrojë botën e të punojë për paqen” (Homelia, Mesha e Rrëshajave, 15 maj 2005).
Mbi temën e faljes, Papa ndalet gjatë në katekizmin kushtuar Judës Iskariot, apostullit, që tradhtoi Krishtin. Edhe Pjetri, kujton Ati i Shenjtë, e tradhtoi Zotin, por diti ta pranojë faljen e Tij, pasi ia besoi krejtësisht veten mëshirës hyjnore. Ndërsa te Juda pendimi zgjon dëshpërim e në fund, një akt vetëshkatërrimtar, pasi ai vret veten:
“Është për ne një ftesë, që të mbajmë gjithnjë parasysh atë që thotë shën Benedikti: ‘Mos u dëshpëro kurrë nga mëshira hyjnore’… Jezusi e respekton lirinë tonë; Jezusi pret të jemi gati për pendesë e për kthim: është plot mëshirë e falje” (Audienca e përgjithshme, 18 tetor 2006).
 







All the contents on this site are copyrighted ©.