2010-08-11 16:53:39

Ulet numri i vatrave të zjarrit në Rusi, por në rrezik zona e ndotur nga Çernobili


(11.08.2010 RV)Në Moskë, sot ajri është më i pastër. Shiu, që ra gjatë natës, lau tymin helmues të zjarreve, të cilat, ditët e fundit, shkatërruan rajonin qendror të Rusisë. Niveli i oksidit të karbonit u kthye gati në normalitet, pavarësisht se temperatura i kapërcen sërish 30°C. Gjithsesi, alarmi në kryeqytetin rus mbetet i lartë e madje, atij i shtohet edhe një tjetër. Flakët kanë arritur në Briansk, zonë e ndotur në vitin 1986 nga katastrofa bërthamore e Çernobilit. Sipas rojeve pyjore, flakët kanë përpirë 4 mijë hektarë të ndotur. Autoritetet ruse minimizojnë rrezikun, ndërsa ekspertët deklarojnë se nuk do të ketë probleme, pasi pjesa më e madhe e ndotur ndodhet në thellësi. Por alarmi vjen nga organizata si Greenpeace dhe nga disa ekologjistë rusë. Të dëgjojmë drejtorin e Institutit italian të Ndotjes Atmosferike, Nikola Pirrone:
Ne nuk kemi të dhëna zyrtare për të kuptuar në ç’nivel është bonifikuar krejt zona, në atë kohë. Ekziston një rrezik i mundshëm, potencial, pasi zjarri zgjon një seri elementesh radioaktive, që janë depozituar e fiksuar në sipërfaqen e tokës në përgjithësi. E vetmja mënyrë për të matur nivelin e rrezikut është monitorizimi i përmbajtjes në atmosferë të këtyre radionuklideve, për të parë nëse rritet radioaktiviteti në zonë apo jo. Në këtë moment, as Agjensia evropiane për ambientin, as Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk japin asnjë alarm.







All the contents on this site are copyrighted ©.