2010-08-10 14:40:43

Në SHBA-të, tërhiqet denoncimi kundër Selisë së Shenjtë në një çështje për pedofili


(10.08.2010 RV)Në Kentaki të SHBA-ve, tre persona, që kanë akuzuar klerin vendas për abuzime seksuale, vendosën të heqin dorë nga kauza kundër Selisë së Shenjtë. Lajmi u dha dje nga avokati i tyre, Uiliam MekMarri. Për avokatin e Selisë së Shenjtë në SHBA, Xhefri Lena, kjo tregon se padia ishte e gabuar.
“Nuk ka ekzistuar kurrë një politikë e Selisë së Shenjtë, për fshehjen e abuzimeve me fëmijët” – deklaron në një notë avokati Xhefri Lena. “Që çështja kundër Selisë së Shenjtë ka qenë e gabuar që në fillim, nuk do të thotë se viktimat nuk kanë vuajtur për shkak të abuzimeve”, për të cilat duhen dënuar individët, që i kanë kryer e jo Vatikani. Gjithsesi, vazhdon avokati në notën e tij, përfshirja e Selisë së Shenjtë në çështje dhe jehona që pati kjo në shtyp, s’bëri tjetër, veçse tërhoqi vëmendjen nga objektivi më i rëndësishëm i mbrojtjes së fëmijëve.
Nga ana e tij, avokati i akuzës, Uiliam MekMarri ka deklaruar se shumica e viktimave të abuzimeve kanë arritur marrëveshje me dioqezat e ndryshme për dëmshpërblimet e tani, nuk mund të hedhin në gjyq edhe Vatikanin.
Për këtë çështje, u prononcua sot, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Selia e Shenjtë – tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve – mëson me kënaqësi lajmet për kauzën në Kentaki. Natyrisht, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë minimizimin e tmerrit dhe të dënimit për ngjarjet e abuzimeve seksuale, si edhe të dhimbjes për vuajtjen e viktimave, pasi, siç ka vënë me të drejtë në dukje avokati Lena, drejtësia për viktimat e mbrojtja e të miturve duhet të mbeten objektiva parësore. Gjithsesi, është pozitive, që një çështje 6-vjeçare, mbi përfshirjen e supozuar të Selisë së Shenjtë në përgjegjësinë e fshehjes së abuzimeve, që ka pasur ndikime të forta negative mbi opinionin publik, përfundoi me vërtetimin se bazohet mbi një akuzë të pathemeltë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.