2010-08-10 16:07:32

Mesazhi i imzot Sakos për Ramazanin: një rast pajtimi për Irakun


Në prag të fillimit të Ramazanit në Irak, kryeipeshkvi kalde i Kirkukut, imzot Luis Sako u drejton myslimanëve thirrjen, që ky muaj të jetë vërtet kohë e privilegjuar për lutje, por edhe për falje, pajtim e drejtësi. Prelati u kërkon gjithashtu të krishterëve të respektojnë ndjenjat e vëllezërve të tyre myslimanë, duke mos ngrënë në publik e duke u veshur me rroba të thjeshta.
“Në emër të të krishterëve të Kirkukut – lexohet në notën e kryeipeshkvit – dëshiroj t’u shpreh vëllezërve myslimanë urimet tona më të sinqerta në këtë muaj agjërimi, që ai t’u japë mundësinë të shtojnë virtytet. Ramazani është rast për të gjetur guximin për falje, pajtim e drejtësi, për të shëruar plagët e irakianëve e për të gjetur paqen, sigurinë e qëndrueshmërinë në një jetë dinjitoze”.
Prelati flet edhe për situatën delikate politike. Vendi është akoma pa qeveri, megjithëse zgjedhjet kanë përfunduar 5 muaj më parë. “Urojmë – shkruan imzot Sako – që shpejt të formohet qeveria e re, një qeveri bashkimi kombëtar, e aftë të marrë përsipër përgjegjësi të plota, një qeveri për të gjithë irakianët e jo vetëm për një pjesë prej tyre”.
Ramazani është muaji më i shenjtë për Islamin. I kushtohet agjërimit dhe lutjes. Në këtë periudhë, myslimanët nuk hanë e nuk pinë asgjë nga ora 4 e mëngjesit deri në 6.30 të mbrëmjes. Ndjekja e këtyre rregullave në Irak është shumë e vështirë për shkak të temperaturës së lartë, që arrin deri në 50°C. Vështirësi tjetër është pasiguria në vend. Në të kaluarën, ekstremistët e kanë përdorur këtë muaj për atentate e dhunë kundër popullsisë, sidomos kundër të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.