2010-08-09 16:28:26

Ndryshimi i klimës përgjegjës për fenomene natyrore të jashtëzakonshme


(09.08.2010 RV)Qindra viktima, miliona pa shtëpi, dëme të pallogaritshme. Pasojat e përmbytjeve e të zjarreve, që këto ditë kanë përfshirë Azinë dhe Evropën janë dramatike. Përveç Rusisë, në Evropën Qendrore, po vuajnë nga përmbytjet edhe Gjermania, Polonia e Republika Çeke. Ndërkaq, një valë ngrice në Amerikën e Jugut shkaktoi vdekjen e dhjetra fëmijëve. Sipas ekspertëve, ngrohja e klimës mund të jetë shkaku i një fenomeni të jashtëzakonshëm: një ishull i stërmadh akulli, katër herë sa Manhatani, është shkëputur nga akullnajat e Grënlandës dhe po zhvendoset drejt Ngushticave të Naresit, rreth 1000 km në jug të Polit të Veriut. Ç’po ndodh me botën? Përgjigjet në mikrofonin tonë, drejtori i Institutit të Biometereologjisë së Qendrës kërkimore italiane të Firences, Xhampiero Maraki:RealAudioMP3
Ndryshimi i klimës, që sjell temperatura më të larta në sipërfaqen ujore të planetit e pra, sasi më të mëdha energjie në qarkullim, është përgjegjës për të gjitha ngjarjet e jashtëzakonshme. Në veçanti, është përgjegjës për dy prej tyre: si për temperaturat shumë të larta, që vijnë nga fakti se ajri i nxehtë nga Ekuatori shtrihet më në veri se në të kaluarën, ashtu edhe për aspektin tjetër, i cili ka të bëjë me intensitetin e shirave. Shumë energji do të thotë edhe intensitet fenomenesh, sidomos kur bie shi. Kjo që po ndodh në Moskë e në Evropën qendrore është pjesë e një filmi, që e kemi parë gjatë 15-20 vjetëve të fundit në krejt planetin.







All the contents on this site are copyrighted ©.