2010-08-08 12:36:12

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: Ungjilli e ndryshon jetën


Sot në mes ditë në Kastelgandolfo në fjalimin e shkurt që paraprijnë lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi “fjalimin e Jezusit drejtuar nxënësve të tij mbi vlerën që njeriu ka para syve të Zotit e shqetësimin për gjërat tokësore e kalimtare. Po ja fjalimi i plotë i Atit të Shenjtë Racinger.

Të dashur vëllezër e motra,
në pjesën ungjillore të kësaj së diele, biseda e Jezusit drejtuar nxënësve vazhdon mbi vlerën që ka personi para syve të Zotit e mbi padobinë e shqetësimeve për sendet tokësore. Nuk bëhet fjalë për një lëvdim të mos angazhimit. Përkundrazi, duke dëgjuar thirrjen bindëse e siguruese të Jezusit “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë“ (Lk 12,32), zemra jonë hapet para një shprese që shndrit e frymëzon ekzistencën konkrete të përditshme: kemi sigurinë që “Ungjilli nuk është vetëm komunikim i sendeve që mund të dihet e të mësohet, por është komunikim që prodhon fakte e ndryshon jetën.
Porta e errët e kohës, e së ardhmes, është e hapur në dy kanatat. Atij ka shpresë jeton ndryshe; i është dhuruar një jetë e re” (Enciklika Spe Salvi, 2). Siç lexojmë në pjesën e Letrës së Hebrenjve si lexim i dytë në Liturgjinë e sotme, Abrahami niset me zemër plotë besim e mbështetje të plotë në shpresën që Zoti ia tregon e ofron: premtimin e një toke e të një “trashëgimie të shumënumërt pasardhësish “ e niset “pa ditur se ku shkonte”, duke u mbështetur e besuar në Zotin (khr Hb 11,8-12).
E Jezusi në Ungjillin e sotëm - përmes tri shëmbëlltyrave - ilustron se si pritja e plotësimit të “shpresës së lume”, ardhja e tij, duhet të shkoj akoma më tej deri një jetë më të dendur e më të fortë, të pasur me vepra të mira, : “Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë; Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren”(Lk 12,33). Është kjo një thirrje për t’i përdorur sendet pa egoizëm, pa etje për të pasur apo sunduar, por sipas logjikës së Zotit, logjikës së vëmendjes e kujdesit ndaj tjetrit, logjikës së dashurisë: siç shkruan në mënyrë të përmbledhur Romano Guardini, “në formën e një relacioni apo marrëdhënie: duke u nisur prej Zotit, duke papasur para sysh Zotin” ( Accettare se stessi, Brescia 1992,44).

 
Lidhur me këtë, dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj mbi disa Shenjtorë që kremtojmë kësaj jave e të cilët e kanë organizuar jetën e tyre pikërisht duke u nisur prej Zotit e duke pasur para sysh gjithmonë Zotin.
Sot përkujtojmë shën Domenikun Guzman themelues, në shekullin XIII, të Urdhrit Domenikan, që zhvillon misionin e arsimimit të shoqërisë mbi të vërtetën e fesë, duke u përgatitur me studim e lutje. Në vet epokën e saj, shën Klara e Asizit, duke vijuar me veprën françeskane, themelon Urdhrin e Klariseve. Më 10 gusht do të përkujtojmë diakonin e shenjtë Lorencin, martir i shekullit të III, reliket e të cilit nderohen në Romë në Bazilikën e Shën Lorencit jashtë Mureve. Së fundit, do të përkujtojmë edhe dy martirë të Nëntëqindës që kanë pësuar të njëjtin fat në Auschwitz. Më 9 gusht do të përkujtojmë shenjtën karmelitane Tereza Benedikta e Kryqit, Edith Stein, e më 14 gusht meshtarin françeskan shën Maksimilian Kolbe, themelues i Milicisë së Marisë së Papërlyer. Që të dy kanë përshkuan e kaluar kohët e errëta të Luftës së Dytë Botërore, pa humbur kurrë prej sysh shpresën në Zotin e jetës e të dashurisë.
Të mbështetemi në ndihmën amnore të Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Shenjtorëve që me dashuri e bashkëndan shtegtimin tonë drejt cakut të jetës. Asaj t’ia drejtojmë lutjen tonë".







All the contents on this site are copyrighted ©.