2010-08-07 12:06:42

Thirrje drejtuar besimtarëve britanikë për të ndihmuar për shpenzimet e organizimit të vizitës së Papës.


Po afrohet dita e vizitës së Papës Benediktit XVI në Britani të Madhe, me ftesë të qeverisë, Mbretëreshës Elizabetë dhe të Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë dhe të Uellsit. Udhëtimi apostolik do të zhvillohet nga 16-19 shtatorin e ardhshëm e përfshin Edinburgun, Glasgoun, Birmingamin e Londrën. Ndërkaq nëpër famulli dhe dioqeza po vlojnë përgatitjet për organizimin dhe garantimin e pjesëmarrjes të besimtarëve në kremtimet eukaristike dhe në manifestimet e tjera.
Për vizitën e ardhshme të Papës në tokën e Rikard Zemërluanit, po flasin shumë mjetet e shtypit, qoftë ato angleze, qoftë ato ndërkombëtare. Disa tituj gazetash, sidoqoftë, kanë ngjallur polemika dhe dyshime, lidhur me koston që do të ketë pjesmarrja në kremtimet e Meshëve dhe në takimet publike me Papën, kosto kjo që është kuptuar keq ose është keqinterpretuar si “një biletë” me pagesë. Në fakt, bëhet fjalë për një ndihmesë në shpenzimet e organizimit, siç shpjegon në mikrofonin e Radio Vatikanit koordinatori i vizitës së Papës, Imzot Endrju Samërsgil:..RealAudioMP3

Është një kontribut, dhe nuk bëhet fjalë, siç kam lexuar diku, për koston e një bilete për të marrë pjesë në Meshë. Synimi kryesor është ai i mbulimit të shpenzimeve të transportit, në veçanti për besimtarët që vijnë nga Kofton dhe Belahjuston, meqë bëhet fjalë për një numër të madh besimtarësh, si edhe për shpenzimet për sigurimet, të nevojshme këto që shtegtarët të lejohen të marrin pjesë. Le të mendojmë për atë që është bërë për ngjarje të tjera lidhur me Papën, në veçanti për Ditën Botërore të Rinisë. Për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, të gjithë ftohen të regjistrohen onlajn dhe regjistrimi parashikon edhe kontributin financiar. Kështu, pra, nuk është ndryshe nga ç’është vepruar në vende të tjera të botës. Besoj se ka dy gjëra që duhen thënë. E para është se kontributi financiar është i njëjtë për të gjithë, dhe është një vepër solidariteti, po qe se duam ta quajmë kështu, në mënyrë që kushdo që dëshiron të mund të marrë pjesë në Meshën e lumnimit (të Kard. Njuman) ose në Meshën në Glasgou. Kontributi që do të jepet është i njëjtë, pavarësisht nga vjen besimtari. Aspekti tjetër është se ne nuk ia kemi kërkuar kontributin secilit besimtar drejtpërsëdrejti.

 
Pra, nuk do të jenë besimtarët që do të derdhin kontributin në mënyrë individuale, por si pjesëmarrje, në bazë grupi, nëpërmjet famullive, apo jo?

 
Në Angli dhe Uells, ndihmat financiare do të mblidhen nëpërmjet famullive dhe iu përket atyre të vendosin si duan t’i mbledhin këto kontribute. Famullitë mund të ndihmojnë persona të tjerë që marrin pjesë në shtegtimin e Papës. Nuk është pra një kontribut individual, por kontribut në rang bashkësie. Pra, është famullia që vendos si do ta japë kontributin e saj. Mendoj se është e rëndësishme të jemi sa më të qartë që është e mundur se pse është kërkuar ky kontribut financiar.







All the contents on this site are copyrighted ©.