Shembëlltyrat VII: "Kush është Zoti i Jezu Krishtit e si sillet me mëkatarët?".
Në emisionin e pestë të rubrikës kushtuar shembëlltyrave, i dhamë përgjigje pyetjes:
“Ç’dëshiron të na mësojë Krishti përmes tyre?”. Sot, një pyetjeje tjetër, shumë të
rëndësishme: “Kush është Hyji i Jezusit e si sillet me mëkatarët?”. Qysh në mësimin
e parë që jep përmes shembëlltyrave, Jezusi shpjegon mënyrën si sillet Hyji Atë me
njerëzimin. Në shembëlltyrën e shërbëtorit, që i detyrohet zotërisë së tij 10. 000
talente (Mt 18.23-35), Jezusi na bind se Ati ia falë borxhlinjve të gjitha
detyrimet, edhe kur janë tejet të mëdha. E tregon vetë shuma prej 10. 000 talentesh,
e barabartë me pagën, që mund të merrte rrogëtari, për 60 milionë ditë-pune. Një shumë
të tillë nuk ishte në gjendje ta paguante asnjë njeri. E aty, ku njeriu s’mundet,
mundet vetëm Zotëria, i cili e fal borxhin e madh, por me një kusht: që edhe borxhliu
t’i falë detyrimet e vogla, 100 denarët, me vlerë 100 ditë-pune. Kështu, përmes shembëlltyrave,
Jezusi dëshiron të na mësojë se Zoti, me mirësinë e tij të pambaruar, i fal mëkatet,
edhe ato, që rëndojnë tepër mbi ndërgjegjën e njeriut e të njerëzimit. Por me një
kusht: në se edhe mëkatarët e mëdhenj i falin fyerjet, gjithnjë më të vogla, që mund
t’u kenë bërë të tjerët. Prej këndej, pyetjes së Pjetrit: “Zotëri, nëse vëllai im
më fyen, sa herë duhet ta fal? Shtatë herë?”, Jezusi i përgjigjet: “Deri në shtatëdhetë
herë shtatë!”. Me shembëlltyrën e punëtorëve të vreshtit (Mt 20, 1-16),
në të cilën tregohet se ata që punuan 12 orë, marrin po aq, sa të tjerët, që punuan
vetëm një orë, Jezusi na mëson se Hyji e do njeriun dhe e shpëton, jo pse i vlerëson
përpjekjet e mjera njerëzore, por vetëm për hir të mëshirës së tij. Zoti shëlbon përmes
hirit të vet, jo përmes meritave tona. Ai nuk është vetëm i drejtë, sepse u jep pagën
e caktuar punëtorëve të orës së parë, por edhe, e sidomos, “i mirë”. I mirë për punëtorët
e orës së parë e të asaj të fundit. Ai nuk sillet kurrë padrejtësisht; madje i tejkalon
shumë kufijtë e drejtësisë njerëzore. Prandaj shpesh herë veprimi i tij e habit njeriun,
sepse buron nga mirësia hyjnore, jo nga ajo tokësore. Mësimi i dytë i Jezusit
ka të bëjë me një aspekt tjetër hutues të Hyjit: me dashurinë e tij për ‘të humburit’.
Jezusi akuzohet nga kundërshtarët, skribë e farizej, ndjekës të rreptë të ligjit hebraik
(Torā) se është mik me publikanët e me mëkatarët, se i pranon e madje dhe ha bukë
me ta, gjë që ishte e ndaluar. Sipas mendësisë së kohës, të rrije me mëkatarë, do
të thoshte ta përkrahje qëndrimin e tyre kundër Ligjit e të rrezikoheshe për t’u bërë
mëkatar, si ata. Sepse, thotë populli, “Më thuaj me kë rri, të të them cili je!”.
Por Jezusi e mbron këtë mënyrë ‘shkandullese’ sjelljeje, duke pohuar se s’bën tjetër,
veçse sillet me njerëzit e humbur, ashtu si sillet Zoti me ata që i rrinë larg e
nuk i binden ligjit të tij. Këtë kuptim kanë tri shembëlltyra: ajo e deles së humbur
(Mt 18,12-14;Lk 15,47), e monedhës së humbur (Lk 15,8-10) dhe e djalit
plangprishës (Lk 15,11-32). Ashtu si kundërshtarët, Jezusi i shikon publikanët,
mëkatarët e prostitutat si njerëz ‘të humbur’. Por nuk mendon se duhen përbuzur. Përkundrazi:
duhen shpëtuar! E kështu vepron Hyji. Është si bariu, që ka njëqind dele. E i humbet
njëra. E ai i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë, e niset e shkon të gjejë atë,
të humburën. E kur e gjen, e vë mbi supe e, plot gëzim, i fton miqtë të gëzohen me
të, për delen e gjetur. Kjo për të ka vlerë të madhe e gjetja e saj bëhet burim gëzimi.
Prej këndej mund të themi se shpëtimi i mëkatarit, misteriozisht, është gëzimi i Zotit.Në
këtë përfundim arrin edhe shembëlltyra e drahmës së humbur. Drahma është monedhë pa
vlerë, por për gruan e shembëlltyrës, vlen shumë. Prandaj e kërkon me aq ankth, duke
kthyer përmbys gjithë shtëpinë. Kështu mëkatari, ndonëse njeri i humbur, e prej këndej,
vlerëpaktë, për Zotin ka vlerë të madhe, prandaj e kërkon e i bën thirrje të kthehet.
Zoti nuk dëshiron të humbasë asnjë nga këta të vegjëlit, thotë Krishti, në variantin
e deles së humbur, sipas Mateut (Mt 18,14).