2010-08-07 12:31:20

Më 8 gusht, kalendari Kishtar përkujton Shën Domenikun (Dedën) e Guzmanit, meshtar e themelues i Predikatarëve


Më 8 gusht, Kisha përkujton Shën Domenikun (Dedën) e Guzmanit, rregulltar, themelues i Domenikanëve.
“Predikatar i shquar” i së Vërtetës së Zotit. Shën Domeniku qe predikues i flaktë i Jezu Krishtit
Shën Domeniku apo Deda i Guzmanit, lindi prej Feliçe Guzmanit e Gjovana De Aza në vitin 1170 në Kaleruega, një fshat malor i Kastiljes së Vjetër (Spanjë). Që në fëmijëri u dallua për dashuri, bujari e përvujtëri shpirtërore.
I bindur se kleri duhej t’i kthehej stilit të një jete rigoroze, të ashpër siç ishte në themelin e herezive të Albigjezëve dhe të Valdezëve, në Toloza themeloi Urdhrin e Fretërve Predikatarë që lindi sipas Rregullores agostiniane, po që në thelb u bë diçka krejtësisht e re.
Urdhër i ri Rregulltarë i Shën Domenikut bazohej e bazohet edhe sot e kësaj dite mbi primatin e lutjes, detyrën e studimit dhe pjesëmarrjen në procesin e modernitetit kishtar që aso kohe kërkohej nga të gjitha anët. Urdhri i Domenikanëve u dallua për predikimet shëtitëse, të lëvizshme, mbështetur në lëmoshë e në një seri rregulloresh të llojit murgar e të studimit të thelluar. Kushtetutat e Urdhrit të Fretërve Predikatarë shquhen për qartësinë e mendimit, shpirtin pozitiv e të drejtpeshuar si dhe prakticitetin çka pasqyrohet në Urdhrin e Domenikanëve, njëri ndër më të rëndësishmit që ka Kisha.
I këpur nga puna apostolike dhe pendesat e mëdha e të gjata, më 6 gusht të vitit 1221, Shën Domeniku vdiq i rrethuar nga fretërit e vet në kuvendin e Bolonjës, në çelën që nuk ishte e tija, sepse ai, Themelues, nuk kishte çelë. Papa Gregori IX, i lidhur me një miqësi të madhe më Domenikun, e kanonizoj më 3 korrik të vitit 1234.
Kujtojmë se Etërit Domenikanë kanë qenë në Shqipëri qysh në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me të cilin kanë bashkëpunuar nga afër deri me largimin e tyre me pushtimin osman dhe kthimin në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist, në Durrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.