Kisha kremtoi festën e Shndërrimit të Krishtit mbi malin Tabor.
Liturgjia e sotme na fton ta ndjekim Krishtin mbi Tabor, mbi malin e heshtjes e të
kundrimit, përvojë të cilën Kisha ua këshillon të gjithë besimtarëve, në forma të
ndryshme, që u përshtaten thirrjeve e kushteve të posaçme të jetesës, në mënyrë që
bashkësitë e krishtera të bëhen shkolla të vërteta lutjeje, ku të ngadhënjejë në shpirt
misteri i dritës dhe i dashurisë së Hyjit. Duke kundruar Taborin, kuptojmë më mirë
se rruga e kryqit dhe ajo e lavdisë janë të pandara: duke pranuar deri në fund të
fundit planin e Atit, në të cilin qe shkruar se Jezusit do t' i duhej të vuante për
të hyrë në lavdinë e tij, Krishti provon që në këtë jetë dritën e ringjalljes. Edhe
ne, duke mbartur çdo ditë me fe plot dashuri Kryqin, provojmë, njëheresh me peshën
e rëndë, edhe forcën e risimit e të ngushëllimit. Me Jezusin e marrim atë dritë të
brëndshme, posaçërisht ndërsa lutemi. Kur zemra është pushtuar nga Krishti, jeta ndryshon.
Rrugët më fisnike e, posaçërisht, ato më ngulmueset, janë fryt i bashkimit të thellë
e të vazhdueshëm me Hyjin në heshtjen e uratës. Kujtojmë se shndërrimi i Jezusit
mbi malin Tabor është i katërti në misteret e dritës, shtuar mistereve tradicionale
të Rruzares shenjte nga Papa Gjon Pali II në vitin kushtuar pikërisht Rruzares. Misteret
e dritës janë: Pagëzimi i Jezusit në Jordan, kur Ati nga qielli thotë: "Ja, biri im,
të cilin e kam për zemër", e ky është zbulimi i misionit të Birit të Hyjit; pastaj
mekullia e Jezusit në Dasmën e Kanës, shenjë e shndërrimit dhe e shenjtërimit të të
gjithë realitetit të krijuar e sidomos e njeriut të shndërruar nga Biri i Hyjit; misteri
i tretë është kumtimi i Mbretërisë së Hyjit me shembëlltyra e shenja shëlbuese. I
katërti - shndërrimi i Jezusit mbi Malin Tabor dhe së fundi, i pesti, themelimi i
Eukaristisë, si dhanti Pashkësh e si sakrament që përmbledh në vetvete të gjitha sakramentet
e shëlbimit, të cilat Krishti ia dhuroi Kishës për shpëtimin e njerëzimit.