2010-08-06 17:35:37

Festa e Shndërrimit të Krishtit. Papa: t’i shikojmë gjërat e tokës me sytë e Zotit.


(06.08.2010 RV)Kisha kremtoi sot festën e Shndërrimit të Krishtit. Festa, shpjegojnë katekizmat e Papës, na fton t’i shikojmë punët e botës me perspektivën e Zotit.
Kjo do të thotë ta shikosh errësirën me sytë e dritës. T’i shikosh punët e botës nga lart, ashtu si i shikon Zoti. Jezusi u ngjit mbi mal për t’u lutur. E Mali, Tabori, ashtu si Sinai, na kujton Papa, është vendi në të cilin njeriu e ndjen veten shumë më pranë Zotit, sesa në jetën e përditshme. Është maje mali, ku mund të thithësh ajrin e pastër të krijimit. Është vend i lutjes. E Shndërrimi i Zotit lidhet ngusht me lutjen. Por pa harruar se kur dialogon me Atin e vet qiellor, Jezusi nuk del nga historia, nuk i shmanget misionit për të cilin ka ardhur në botë, ndonëse e di që duhet të kalojë përmes kryqit për të arritur në lumni. Madje Krishti, shpjegon Papa, hyn edhe më thellë në këtë mision, duke iu nënshtruar me gjithë vetveten vullnetit të Atit. Tregon, kështu, se lutja e vërtetë është ajo që na ndihmon ta bëjmë vullnetin tonë një me atë të Zotit:
Për të krishterin, të lutet nuk do të thotë të ikë nga realiteti e t’i shmanget përgjegjësisë, por ta pranojë deri në fund të fundit, duke besuar plotësisht në dashurinë besnike e të pashterrshme të Zotit”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 4 mars 2007).
Mbi malin Tabor, Pjetri, Jakobi e Gjoni jetojnë çaste të jashtëzakonshme: kundrojnë lumninë e Birit të Hyjit, parashijojnë për pak çaste Parajsën; këtu tashmë gruri është ndarë nga egjra:
“Është përvojë, që jetohet për një kohë të shkurtër, të cilën Zoti nganjëherë e lejon, sidomos pas provave të rënda. Por, askujt nuk i jepet mundësia të jetojë “mbi Tabor”, në sa jeton ende mbi këtë tokë. Jeta njerëzore është udhë feje e, si e tillë, jetohet më shumë në gjysëm hije, sesa në dritë të plotë, pa harruar edhe çastet e errësirës, madje edhe të territ të verbër. Përderisa të jemi mbi tokë, me Zotin mund të lidhemi më shumë përmes dëgjimit e vegimit; e edhe vetë kundrimi bëhet gati-gati me sy të mbyllur, falë dritës shpirtërore, që ndez në zemrën tonë Fjala e Zotit”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 12 mars 2006).
Do të ishte gjë e bukur të rrije mbi Tabor. Posaçërisht kur ngjitesh përkrah Jezusit, për ta parë të keqen me sytë e së mirës, pa harruar se Shndërrimi është ngjarje që lidhet ngushtë me lutjen: duke u lutur, Jezusi shkrihet në Hyjin, bëhet një me Të, bashkon vullnetin e tij njerëzor me vullnetin e dashurisë së Atit, e kështu pushtohet nga drita e duket ai që është në të vërtetë: “ Dritë prej Drite”.
Veshja e bardhë e flakëruese e Jezusit, na kujton rilindjen në pagëzim, parashijim i jetës qiellore:
“Kjo është pika vendimtare: shndërrimi është përshpejtim i ngjalljes, por kjo të kujton vdekjen. Jezusi u tregon Apostujve lumninë e tij, që të kenë forcë për ta përballuar shkandullin e Kryqit e të kuptojnë se duhet të durojnë shumë mundime për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 17 shkurt 2008).
Papa kujtoi, më pas, zërin e Atit, që jehon nga lart, duke shpallur se Jezusi është Biri i tij i dashur e duke shtuar: “Dëgjojeni!”. Për të hyrë në jetën e amshuar duhet dëgjuar Jezusi, duhet ndjekur në udhën e kryqit, duke pasur në zemër, ashtu si Ai, shpresën e ringjalljes.
Shndërrimi i Jezusit në sa lutej mbi mal, është ftesë për t’u lutur. Na tregon se lutja e vërtetë është ajo që të ndihmon ta bësh vullnetin tënd një me atë të Zotit. E vetëm lidhja e vërtetë me Jezusin na tregon se bukuria e njëmendtë është dashuria e Zotit, që di ta shndërrojë edhe misterin e errët të vdekjes, në dritën rrezëlluese të ringjalljes:
“Lutja nuk është një element ndihmës, nuk është optional, por është çështje jete a vdekjeje. Vetëm ai që lutet, dmth që e lëshon plotësisht vetveten në dorë të Zotit me dashuri bijnore, mund të hyjë në jetën e amshuar, që është vetë Zoti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.