65 vjet më parë hidhej bomba atomike mbi Hiroshimë. Edhe sot, bota është peng e kërcënimit
bërthamor
(06.08.2010 RV)Mëse 55 mijë vetë morën pjesë sot në Hiroshimë, në kremtimet
e 65-vjetorit të hedhjes së bombës atomike mbi qytetin japonez. Për herë të parë,
në ceremoni ishte i pranishëm një delegacion zyrtar nga SHBA-të, si edhe Sekretari
i Përgjithshëm i OKB-së. Bombardimi i 65 vjetëve më parë shkaktoi 140 mijë viktima,
por edhe shumë të sëmurë nga rrezatimet gjatë viteve në vijim. Data ambicioze për
t’i dhënë fund prodhimit të armëve bërthamore është viti 2020, por sot për sot, ato
mbeten kërcënim për njerëzimin, siç nënvizon në mikrofonin tonë, presidenti i Institutit
të kërkimeve ndërkombëtare “Arkivi i Çarmatimit”, italiani Fabricio Batisteli: Arsenali
bërthamor, për shembull ai rus e amerikan, është akoma tepër i madh. Janë mijëra e
mijëra – pesë, gjashtë, shtatë mijë për kokë – bombat atomike të këtyre arsenaleve.
Është një numër mëse i mjaftueshëm për ta shkatërruar disa herë planetin e gjithsesi,
është shumë më i madh edhe se kërkesat e mbrojtjes, pra të atij parimi strategjik,
sipas të cilit, arma është mjeti i fundit për ta bindur armikun të mos e përdorë,
ose të mos sulmojë i pari. Duket se rreziku është shtuar me daljen e organizatave
të ndryshme terroriste… Këtu jemi vërtet përballë kërcënimit serioz. Ka
organizata, të cilat në këtë çast, nuk kanë mundësi të përdorin armë bërthamore, por
në të ardhmen, mund të përdorin të ashtuquajturën “bombë atomike të pistë”. Është
një valixhe me eksploziv të zakonshëm, por edhe me skorie bërthamore, në gjendje të
fillojnë një proces ndotjeje të atmosferës, në një territor të caktuar. Sot, ka dy
lloj kërcënimesh në fushën bërthamore. Nga njëra anë, kërcënimi i përhapjes, pra,
gjithnjë e më shumë vende blejnë teknologji bërthamore, që mund të përdoret në ushtri.
Nga ana tjetër, mungesa e çarmatimit. Çfarë mësimi mund të nxjerrim 65
vjet pas hedhjes së bombës atomike në Hiroshimë? Mbetet mësimi i kufijve
të pushtetit njerëzor, i cili, nga pikpamja ushtarake, mund të përdoret për qëllime
pak a shumë të ligjshme, por që nuk duhet të kapërcejë një nivel të caktuar, madje
as teorikisht. E thotë edhe teoricieni ushtarak prusian Klausevic: kur mjetet, për
nga sasia, nuk i shërbejnë më qëllimit, duhet të braktisen. E arma bërthamore është
mjet, që duhet braktisur. Papa i ndjerë Gjon Pali II pati shkuar në Hiroshimë,
në vitin 1981. Në “Peace Memorial” (Memorialin e Paqes), ai mbajti një nga fjalimet
më të zjarrta kundër luftës, të cilën e quajti “vepër të njeriut, shkatërrim të jetës
njerëzore e vdekje”. Më moton “Të kujtojmë të kaluarën e të impenjohemi për të ardhmen”,
Papa Vojtila bëri një thirrje të fuqishme për t’i dhënë fund çarmatimit bërthamor
dhe përfundoi fjalimin, me një lutje të mrekullueshme drejtuar Hyjit, Krijuesit të
natyrës e të njeriut, të së vërtetës e të bukurisë, që po jua propozojmë sërish: “Dëgjoje
zërin tim, sepse është zëri i viktimave të të gjitha luftrave e të dhunës ndërmjet
individëve e kombeve; Dëgjoje zërin tim, sepse është zëri i të gjithë
fëmijëve, që vuajnë e do të vuajnë sa herë popujt ia besojnë fatin e tyre armëve dhe
luftës; Dëgjoje zërin tim, kur të lutem të dikosh në zemrat e njerëzve
urtinë e paqes, forcën e drejtësisë e gëzimin e miqësisë; Dëgjoje
zërin tim, sepse flas në emër të popujve të çdo vendi e të çdo periudhe të historisë,
që nuk e duan luftën e janë gati për rrugën e paqes; Dëgjoje zërin
tim e na jep aftësinë e forcën për t’iu përgjigjur gjithmonë urrejtjes me dashuri,
padrejtësisë me përkushtimin e plotë për drejtësinë, nevojës me solidaritet, luftës
me paqe. O Zot, dëgjoje zërin tim e jepi botës përgjithmonë paqen
Tënde”.