2010-08-05 15:17:34

Kushtimi i Bazilikës së Zojës së Madhe. Papa: Zoti tërhiqet nga përvuajtëria e Marisë


(05.08.2010 RV)RealAudioMP3 Kisha Katolike kremton sot festën liturgjike të Kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe në Romë. Është shenjtërorja mariane më e lashtë e Perëndimit, ndërtuar me urdhërin e Papës Siksti III, pak pas Koncilit të Hefestit në vitin 431, kur Maria u shpall solemnisht Nëna e Zotit. Papa Benedikti XVI e përmendi këtë festë edhe në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar, por ka folur për të edhe herë të tjera.
“Zoti deshi të ishte Zoti-me-ne e ka një nënë, që është nëna jonë”: kështu tha Papa në audiencën e përgjithshme të 2 janarit 2008, duke shpjeguar vendimin e Koncilit të Hefestit:
“Pas këtij Koncili u vu re një shpërthim i vërtetë i devocionit marian dhe u ndërtuan shumë kisha, kushtuar Nënës së Zotit. Ndër to, e para është Bazilika e Zojës së Madhe, këtu në Romë” (audienca e përgjithshme 2 janar 2008).
Bashkësia e krishterë e ka nderuar gjithnjë shën Marinë Virgjër si Nënë e Zotit:
“Kjo e shpreh mirë misionin e Marisë në historinë e shëlbimit. Të gjithë titujt e tjerë, që i janë dhënë shën Marisë, e kanë bazën në thirrjen e saj për të qenë Nëna e Shëlbuesit, krijesa njerëzore e zgjedhur nga Zoti për të realizuar planin e shëlbimit, që ka në qendër misterin e madh të mishërimit të Fjalës Hyjnore” (audienca e përgjithshme 2 janar 2008).
Papa pyet se pse Zoti, ndër të gjitha gratë, zgjodhi pikërisht Marinë e Nazaretit:
“Përgjigjja fshihet në misterin e pakapshëm të vullnetit hyjnor. Gjithsesi, ekziston një arsye, që Ungjilli e vë në dukje: përvuajtëria e saj… Po, Zoti u tërhoq nga përvuajtëria e shën Marisë, e cila qe gjithë hir para syve të Hyjit. U bë kështu, Nëna e Zotit, imazh e model i Kishës, e zgjedhur mes popujve për të marrë bekimin e Zotit e për ta përhapur në krejt familjen njerëzore. Ky “bekim” nuk është tjetër, veçse vetë Jezu Krishti. Është Ai burimi i hirit, me të cilin u mbush Maria. E pranoi me fe Jezusin e me dashuri, ia dhuroi botës. Kjo është edhe thirrja e misioni ynë, thirrja dhe misioni i Kishës: pranimi i Krishtit në jetën tonë e dhurimi i Tij botës, që ajo të shëlbohet përmes Tij” (Lutja e Engjëllit të Tënzot 8 dhjetor 2006).
Maria pra, është Nëna e Zotit, një privilegj, që nuk e largon prej nesh, përkundrazi e bën edhe më të afërt:
“Pikërisht se është me Zotin e në Zotin, ajo është afër me secilin prej nesh. I njeh zemrat, mund të dëgjojë lutjet, mund të na ndihmojë me mirësinë e vet amnore e na është dhënë – siç ka thënë Hyji – si Nënë që na dëgjon gjithmonë, na qëndron afër e, duke qenë Nëna e Birit, merr pjesë në pushtetin e Birit. Mirësisë së saj mund t’ia besojmë jetën, kësaj Nëne, që nuk është larg nga askush” (Homeli, Kastel Gandolfo, 15 gusht 2005).
Me rastin e festës, sot, në Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë, u kremtua Mesha nga kryeprifti, kardinali Bernard Frensis Lou. Gjatë ceremonisë, në kishë ranë petale të bardha lulesh, për të kujtuar “Mrekullinë e borës”, në natën e 5 gushtit 358. Sipas traditës, Virgjëra iu duk në ëndërr Papës Liberi, duke i kërkuar të ndërtohej një kishë aty ku do të binte dëbora.








All the contents on this site are copyrighted ©.