2010-08-04 14:23:35

Thirrje e Papës për popullsitë e Pakistanit, të Afganistanit e të Rusisë, të dëmtuara nga fatkeqësi të rënda natyrore


(03.08.2010 RV)Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI bëri një thirrje të zjarrtë për popullsitë e Pakistanit e të Afganistanit, të cilat këto ditë vuajnë pasojat e përmbytjeve, që kanë shkaktuar 1400 të vdekur e kanë lënë qindra mijëra vetë pa shtëpi. Papa kujtoi edhe një dramë tjetër, atë të zjarreve në Rusi, që deri tani kanë shkaktuar 48 viktima:RealAudioMP3
“Në mënyrë të veçantë, mendoj për zjarret e mëdha në Federatën Ruse e për përmbytjet shkatërrimtare në Pakistan e në Afganistan. I lutem Zotit për viktimat e jam afër shpirtërisht me të gjithë të sprovuarit nga këto fatkeqësi. Për ta i kërkoj Hyjit t’ua lehtësojë vuajtjen e t’i mbështesë në vështirësi. Uroj gjithashtu, të mos u mungojë solidariteti i të gjithëve”.
Përmbytjet në Pakistan kanë sjellë tmerr e shkatërrim, siç nënvizon në mikrofonin tonë, murgesha domenikane e Shën Katerinës së Sienës, motër Gabriela Seganti, me telefon nga Faisalabadi:
Të gjitha zonat përreth lumenjve të mëdhenj janë përmbytur. Uji e ka rritur shumë nivelin e shkatërron shtëpitë, sidomos në fshatra, ku ka shumë viktima, sepse njerëzit nuk kanë kohë të ikin. Natyrisht, ata që ikin humbasin gjithçka: shtëpinë, kafshët shtëpiake; të korrat janë shkatërruar krejtësisht. Problemi është se shiu vazhdon të bjerë.
Ç’po bëni ju misionaret për të ndihmuar popullsinë?
Arrijmë tek ato familje që mundemi, por kemi edhe shumë kushërinj të vetë motrave tona, për të cilët nuk dihet se ç’ka ndodhur. Mundohen të lidhen në njëfarë mënyre, por për shumë vetë nuk dihet ku janë. Për ne, është e pamundur të shkojmë në ato zona, ku niveli i ujit është i lartë. Në këtë periudhë ka gjithnjë munsone që vijnë nga India, por një gjendje si kësaj radhe nuk e kemi parë kurrë.
Ekziston rreziku i vdekjes nga uria, apo nga epidemitë?
Kanë ngordhur shumë kafshë… Duhet edhe asistencë, ilaçe. Njerëzit kanë humbur çdo gjë e nuk e di si do t’ia bëjnë. Është problem shumë i madh. Duhet të kuptojmë më parë si dhe ku të strehohemi, pastaj si t’i veshim, si t’u japim për të ngrënë këtyre mijëra njerëzve, që kanë humbur gjithçka.
Cila është thirrja juaj si murgesha misionare domenikane në Pakistan?
Thirrja është që kush mund të japë ndonjë ndihmë ekonomike, ta bëjë këtë urgjentisht. Shpresojmë të qetësohet koha, që të shkojmë tek personat për t’i ndihmuar.

Një vend tjetër, i shkatërruar nga fatkeqësi natyrore është Rusia. Patriku ortodoks i Moskës dhe i të gjitha Rusive, Kirill u ka kërkuar ipeshkvijve të dioqezave ku ka rënë zjarri, të organizojnë një rrjet ndihmash për mijëra personat, që kanë mbetur pa shtëpi për shkak të flakëve, në këtë valë të jashtëzakonshme vape, me temperatura deri në 40°C.







All the contents on this site are copyrighted ©.