2010-08-03 17:03:57

Në Shqipëri fenomeni i dhunës në familje do të konsiderohet së shpejti vepër penale, viktimat mbrojtje ligjore


Në Shqipëri fenomeni i dhunës në familje do të konsiderohet së shpejti vepër penale dhe viktimat e kësaj dhune do të mbrohen falas gjatë proceseve gjyqësore.
Këto risi të pritshme ligjore u pohuan sot nga Zv/ministrja e Punës së Shqipërisë, Filloreta Kodra, gjatë një takimi me gazetarët, ku dha një informacion të detajuar për raportimin e Shqipërisë pranë Komitetit të Konventës për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimin ndaj Grave (CEDAW), në New York më 26 korrik 2010.
Delegacioni i Shqipërisë i kryesuar nga Kodra, ka mbrojtur Raportin e III të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e Konventës "Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave" të paraqitur para Komitetit CEDAW në vitin 2008, në përputhje me nenin 18 të Konventës, e ratifikuar që në 1993.
Të drejtat e grave në Shqipëri, tha Kodra, janë konsideruar si pjesë integrale e të drejtave të njeriut dhe në këtë kuadër kemi ratifikuar dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare duke synuar vendosjen e standardeve të barazisë gjinore sipas kërkesave dhe rekomandimeve të këtyre dokumenteve.
Në përputhje me nenet e Konventës, ajo vlerësoi se Shqipëria ka arritur progres në fushën e hartimit të legjislacionit për barazinë gjinore dhe dhunës në familje, ngritjen e strukturave përgjegjëse si dhe janë marrë masa pozitive për përparimin e grave në fushat e punësimit, arsimimit, shëndetësisë.
Në sesionin e 46 të OKB-së, tregoi Kodra "është theksuar se legjislacioni shqiptar në përgjithësi është i përputhur me nenet e Konventës, por shpesh problemi qëndron në zbatimin e tij".
Sipas Kodrës, rëndësi dhe progres pati hartimi i ligjeve të reja "Për barazinë gjinore në shoqëri", "Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", që përputhen me Konventën CEDAW, dhe së fundmi ligji i ri "Për mbrojtjen nga diskriminimi", që plotëson dhe një vakum të ligjit të barazisë gjinore siç është ngritja e institucionit të Komisionerit, institucion juridik i pavarur.
Në lidhje me ngacmimet seksuale në vendin e punës, janë evidentuar masat praktike dhe sensibilizuese që struktura e barazisë gjinore ka ndërmarrë nëpërmjet sensibilizimit për këtë çështje pranë Këshillit Kombëtar të Punës. Punëdhënësve dhe punëmarrësve u është kërkuar që të parashikojnë masa konkrete në kontratat individuale apo kolektive të punës për rregullat gjatë denoncimit për akte të ngacmimit seksual në vendin e punës.
Ekspertët e Komitetit të Konventës CEDAW janë informuar nga delegacioni shqiptar, për faktin se nuk ka asnjë rast diskriminimi gjinor të paraqitur në gjykatë, ku të jetë trajtuar sipas Konventës. "Kjo nuk do të thotë se raste të diskriminimit nuk ekzistojnë", tha Kodra, duke bërë të ditur se Ministria e Punës, ka gati propozimin për një ndryshim ligjor, që viktimat e dhunës në familje të trajtohen falas. Mbrojtja e tyre do të bëhet falas nga avokatët, kompensimi i të cilëve do të bëhet nga shteti.
Ajo shtoi se me iniciativën e Kryeministrit të Shqipërisë, po punohet edhe për përcaktimin e dhunës në familje si vepër penale në Kodin Penal.
Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 801 raste të dhunës në familje. Po të krahasohen me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar konstatohet një rritje me 255 raste të evidentuara dhe trajtuara nga strukturat e policisë.
Duke u ndalur në pyetjet e ekspertëve të OKB rreth zbatimit të neneve 7-9 të Konventës që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe publike, znj. Kodra vuri në dukje se u vlerësua miratimi i Ligjit për Barazi Gjinore dhe vendosja e kuotës 30 % si dhe miratimi dhe i kësaj kuote në Kodin Zgjedhor.
Znj. Kodra ka informuar ekspertët e OKB-së se kuota 30% u respektua, por kjo ishte një kuotë e vendosur për listat dhe se "aplikimi i kuotës solli dyfishimin e grave në Kuvend nga 7% në 2005 në 16,4 % në 2009".
Ekspertët trajtuan me interes përqindjen e pjesëmarrjes së grave në sistemin e drejtësisë dhe diplomacisë. Delegacioni informoi se vetëm muajin e fundit janë emëruar 5 zonja ambasadore.
Në këshillin e lartë të drejtësisë 21,4 për qind janë femra, kryetari i gjykatës së lartë dhe prokurori i përgjithshëm janë femra. Anëtare të gjykatës së lartë janë 42,8 për qind, anëtarë të gjykatës kushtetuese 12,5 për qind; gjyqtare 32 përqind gjyqtarë gjithsej 341, ndërsa kryetarë gjykatash janë 25 % ( dhjetori 2009).
Po ashtu, gjatë raportimit u kërkuan dhe u dhanë statistika lidhur me numrin e grave në arsimin e lartë. Kështu, delegacioni shqiptar informoi se: "Në Universitete, stafi akademik përbëhet nga 43,6% femra përkundrejt 56.4% meshkuj. Ndërkaq gra me grada shkencore janë 38% (për vitin 2008). Nga 10 rektorë asnjë nuk është grua, zv/rektore nga 10 janë 3 gra ose 23%. Ndërsa në nivelin e dekanëve gra janë 11 ose 27% e kësaj kategorie."
Ekspertët e OKB shqyrtojnë raportin Zyrtar për CEDAW si dhe një Raport hije te prezantuar nga ekspertet e pavarur të shoqërisë civile të vendit që raporton.
Pas përfundimit të raportimit, pritet që grupi i ekspertëve të OKB të prezantojë nje raport rreth zbatimit të konventës nga vendet raportuese si dhe rekomandimet përkatëse për marrjen e masave konkrete për realizmin e atyre detyrimeve qe ende nuk janë përmbushur.( nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.