Më 3 gusht përkujtojmë jezuitin Atë Jak Gardin në 14 vjetorin e vdekjes.
(03.08.2010 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë një ndër dëshmitarët
e mbrojtësit më guximtar e shembullor të Ungjillit e të vlerave njerëzore në Shqipërinë
e pushtuar nga ateizmi komunist, jezuitin atë Giacomo Gardin (24 shtator 1908 – 3
gusht 1996), që shqiptarët e njohin me emrin Patër Jaku. Atë Jak Gardini lindi në
Prodolone të San Vito Taliamento, në krahinën italiane Pordenone, më 24 shtator 1905.
Më 12 nëntor 1923, në moshën 18 vjeçare, hyri në Shoqërinë e Jezusit. Pas dy vjetëve
të noviciatit në Goricë dhe viteve të përgatitjes në filozofi, u transeferua në Kieri
(Torino), për të ndjekur kurset trivjeçare të filozofisë, sipas traditës së jezuitëve.
Më 1930 u nis për herë të parë në Shqipëri, ku për disa vite me radhë dha mësim në
Kolegjin Saverian. Gjatë këtyre viteve mësoi mirë gjuhën shqipe e njohu thellësisht
zakonet e vendit. U kthye në Kieri për të vazhduar studimet filozofike dhe këtu u
shugurua Meshtar më 15 korrik 1936 nga Kardinali Maurilio Fossati. Pastaj, ndërmjet
viteve 1937 e 1938 shkoi në Parei-le-Monial në Francë, për të kryer vitin e fundit
të rrugës së gjatë të përgatitjes për Shoqërinë e Jezusit, duke përfshirë edhe vitin
e tretë të provës. Më 2 shkurt 1941 Atë Gardin bëri kushtet e përjetshme. Me këtë
rast, në revistën “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” (Korrik 1941, fq. 202-205) u botua
vjersha e nënshkruar me inicialet P. Gj., titulluar “Pagjë e dashtëní”, në të cilën
shkruhet. “Ty jetën t’kunorojnë / Pagja, dashtënia e gëzimi/ Ty shpirtin ta naltojnë/
N’virtyte i shęjtë defrimi,/ E janë për ty dafina/ vuejtjet për qiellë hyjrina// Për
20 vjet me radhë vazhdoi veprimtarinë e vet misionare në Shqipëri: dhjetë vjet si
meshtar e pedagog, mik i dashur dhe tepër i nderuar i shqiptarëve në Shkodër e në
Tiranë; dhjetë vjet të tjera ndër burgjet komuniste, i akuzuar nga diktatura si armik
i përbetuar i popullit shqiptar. Më 1955, si rezultat i marrëveshjes ndërmjet Italisë
dhe Shqipërisë, mundi të rifitonte lirinë dhe të kthehej në atdhe. Këtu shkroi librin
“Dieci anni di prigionia in Albania” - “Dhetë vjet burg në Shqipni” që u botua më
parë italisht më 1988 në SHBA, e më pas u përkthye në gjuhën shqipe nga Zef Nekaj
e Petro Vuçani dhe u botua në Romë më 1992, taman atëherë kur Jezuiti besnik ndaj
misionit të tij, kthehej përsëri në Shqipëri për t’i shërbyer si Atë shpirtëror rinisë
katolike shqiptare e sidomos asaj rinie që, duke shprehur dëshirën të ndjekë rrugën
e meshtarisë, përgatitet në bankat e seminarit papnor të rilindur, për të vijuar misionin
e shenjtë e martirëve që derdhën gjakun për Krishtin në periudhën e komunizmit. Atë
Jak Gardini nuk është më mes nesh! Vdiq më 3 gusht 1996, në Gallarate të Italisë,
në atdheun e vet, ndonëse dëshira e tij e zjarrtë ishte t’i mbyllte sytë për dritën
e kësaj toke, në atdheun e dytë, në Shqipëri. Shumë gjëra i kujton shqiptarëve
emri i tij. I kujton Meshtarin e devotshëm, me cilësi të jashtzakonshme për ta predikuar
e për ta jetuar Ungjillin e Krishtit. I kujton misionarin që u bë një me popullin,
të cilit kishte shkuar t’i shërbente, që ndau me këtë popull të mirën e të keqen,
që vuajti për të, që e deshi aq, sa as sëmundja e as mosha e shtyrë nuk e penguan
të ishte ndër të parët që u kthyen, kur u duk se po vinte pranvera e lirisë. Emri
i Atë Gardin-it i kujton shqiptarëve mësuesin e shquar, që për dhjetë vet rresht dha
mësim në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve. I kujton njeriun e ekumenizmit, që edukoi
vëllazërimin e dashurinë ndërmjet njerëzve, pa dallim besimi. E i kujton edhe autorin
e veprës “Dhetë vjet burgim në Shqipní”, një ndër dëshmitë më të njohura mbi martirizimin
e klerit e të popullit shqiptar, që u shkrua e u botua kur Atdheu i dytë i jezuitit
misionar rënkonte ende pas perdes së hekurt. Përmes kësaj vepre Meshtari katolik tregonte
me gisht para botës krimet e diktaturës komuniste. Vepra në gjuhën italiane u
botua më 1986 në Romë nga “Civiltŕ Cattolica”, në gjuhën angleze, më 1988 në SHBA
dhe në gjuhën shqipe, më 1992, po në Romë. Vepra është përkthyer edhe në gjuhën kroate. U
shkrua pas kërkesave këmbëngulëse të eprorëve, të cilët me të drejtë mendonin se ishte
detyrë e atyre që kishin vuajtur ndër burgje e kampe përqëndrimi të dëshmonin me shkrim
para popullit shqiptar e para botës se tmerret e diktaturës nuk kanë qenë një legjendë,
se puthadorët e saj, janë njollosur aq shumë me gjak të pafajshëm, sa nuk i lan dot
as ujët e oqeaneve! E Atë Gardini ishte i fundmi jezuit që delte i gjallë nga
ai kamp përqëndrimi, në të cilin e kishin shndërruar komunistët Shqipërinë. Po ndërsa
ai kthehej përsëri në jetë, përtej brigjeve të detit vëllezërit e tij, jezuitët shqiptarë,
jetonin të shkapëndarë, të fshehur, gjithnjë me rrezikun e vdekjes mbi kokë. Nuk kishte
më as shtëpí rregulltarësh, as vepra të rregulltarëve; kishte mbetur vetëm kujtimi
i njerëzve, kujtim tepër i gjallë e ngacmues për një misionar si Atë Gardin-i, që
kishte shkrirë jetën pranë tyre. Provinca rregulltare e Italisë vite me radhë pati
dëguar në Shqipëri njerëz shumë të përgatitur dhe pati nisur vepra apostolike që kishin
një rëndësi të dorës së parë për katolikët dhe për mbarë popullin. Pastaj, pa pritur
gjithçka u ndërpre dhe u shlye nga një ideologji, e cila ushtronte ateizmin më të
pamëshirshëm. Misoni shqiptar u shpërnda. Nuk dihej më kush ishte gjallë e kush kishte
vdekur. Dukej se gjithçka kishte marrë fund një herë e përgjithmonë. Po në heshtje
Zoti përgatiste rikthimin e tij! Edhe Shqipëria u detyrua të ulte kokën para logjikës
së historisë e të hiqte dorë nga marrëzia që për një gjysëm shekulli e kishte mbajtur
të burgosur. Këto gjëra mësojmë nga libri i Atë Gardin-it, që është konceptuar
në pesë kapituj, të cilët flasin për: Arrestimin e proçesin; Gjendjen e Kishës; Burgun;
Kampin e pëqëndrimit dhe përfundimin e burgimit, ngjarje që shtrihen në vitet 1945-1955. Libri
mbyllet me predkun e atë Gardin-it në Meshën solemne të Paqës me rastin e përkujtimit
të 40-vjetorit të salvimit fetar në Shqipëri, kremtuar në Kishën e Shën Injacit në
Kaliforni më 13 prill 1985, pas të cilit radhitet Letra që Shenjtëria e Tij, Gjon
Pali II i drejton Atë Gardinit si dhe epilogu i veprës. Është një rrëfim i thjeshtë
e i sinqertë, i shkruar me ton të butë, pa kurrfarë ndjenje urrejtjeje apo dëshire
hakmarrjeje për salvimin e padrejtë. Jezuiti nuk mëton të shkruajë historinë e këtyre
viteve të zymta e të pëgjakshme, të gjykojë fakte e persona, e as të analizojë gjendjen
e të krahasojë ideologjitë; ai ka për qëllim vetëm të shprehë përvojën e vet, përshtypjet
e veta. E di mirë se nuk është duke treguar ngjarje të bujshme historike, por beson
se tregimi i përvojës së vuajtjeve të tij njerëzore, do ta ndihmojë lexuesin të kuptojë
se ç’ngjet gjithnjë në botën e sotme. Nga ana tjetër i kujton detyrën që të përpiqet
për të shëruar sëmundjet e rënda nga të cilat vuan bota e sotme. Gjatë tregimit,
autori përshkruan shumë klerikë e laikë të tjerë katolikë që vuajtën bashkë me te,
sidomos ata që flijuan jetën në elterin e fesë, të lirisë e të atdheut. “Kujtimi
i gjakut të derdhur nga martirët e asaj periudhe të tmerrshme për Kishën katolike
shqiptare, si dhe kujtimi i vuajtjeve të pësuara nga Atë Gardin-i e nga shumë dëshmitarë
të tjerë të fesë- siç shkruan Papa Gjon Pali II më 5 tetor 1980,- i ndihmon Kombit
të varfër në kamje, por tepër të pasur në tradita qytetare e fetare, “të shembur përdhe
nga përsekutimi i egër dhe i gjatë, por të lartësuar nga dëshmitë e martirëve të vet
, tani që ka kaluar provën e dhimbëshme, t’ia hapë përsëri, pa frikë, dyert Krishtit,
për të mirën shpirtërore e materiale të popullit të shumvuajtur”.Përfundimi logjik
në të cilin arrin Atë Gardin-i pasi rrëfen dhjetë vjetët e burgimit, tingëllon si
ftesë për reflektim, për të mos harruar se “Zoti nuk e turbullon kurrë gëzimin e bijve
të vet, pa pasur si qëllim t’u përgatisë një gëzim tjetër, edhe më të madh!”.