2010-08-03 15:54:19

Lord Paten mbi udhëtimin e Papës në Britaninë e Madhe: lumnimi i kardinalit Njuman do të sjellë të mira për gjithë shoqërinë


(03.08.2010 RV)Një muaj e gjysëm para fillimit të udhëtimit apostolik të Benediktit XVI në Britaninë e Madhe, më 16 shtatorin e ardhshëm, vlojnë përgatitjet në bashkësinë katolike e jo vetëm në të. E nënvizon këtë, në mikrofonin tonë, lordi Kristofer Paten, i ngarkuar nga kryeministri për vizitën papnore. Ta dëgjojmë:
Më duket se interesi po rritet e mendoj se do të rritet edhe më shumë kur njerëzit të kthehen nga pushimet verore. Mediat do ta mbulojnë krejt vizitën, pasi kjo është vizita e parë shtetore e një pape në Britaninë e Madhe! Jo vizita e parë baritore, sepse Gjon Pali II erdhi në vitin 1982 për këtë qëllim. Por për Benediktin XVI interesi është i madh e në rritje, pasi udhëtimi përfshin takime “shtetërore” e baritore.
Ç’fryte prisni nga vizita e Papës?
Shpresoj që ta inkurajojë bashkësinë kishtare e të shtyjë ata njerëz, që mendojnë se nuk kanë nevojë për Zotin, t’i bëjnë pyetje vetes për këtë.
Motoja e vizitës së Atit të Shenjtë do të jetë “Zemra i flet zemrës”. Kjo ishte motoja e kardinalit Njuman, që do të shpallet i lum nga Benedikti XVI më 19 shtator. Ç’rëndësi ka kjo figurë për shoqërinë e sotme britanike?
Kardinali Njuman është një nga figurat e mëdha të shekullit XIX në Britaninë e Madhe; jo vetëm për rolin e tij në fushën ekumenike dhe baritore (ka qenë famullitar i shkëlqyer në Birmingam për vite me radhë); jo vetëm për rolin e tij në fushën intelektuale, por edhe për kontributin në qytetërimin e shoqërisë. Unë jam drejtor i Universitetit të Oksfordit, ku kardinali Njuman studioi fillimisht e pastaj dha mësim në dy institute, para se të bëhej meshtar anglikan po në Oksford. Kardinali Njuman ka shkruar tekstin absolutisht më të mirë mbi vlerat liberale të arsimit dhe të arsimit të lartë. Është e rëndësishme ta kujtojmë këtë, në këtë moment, kur njerëzit e përqendrojnë vëmendjen mbi aspektet utilitariste të formimit universitar, ndërsa kardinali Njuman ka shkruar për ndikimin e arsimit në personalitetin individual. Ai ka shkruar mbi ndikimin që formimi, mundësia për t’u hapur horizontin njerëzve, për t’u lejuar zhvillimin e plotë të potencialit të tyre, ka mbi shoqërinë në tërësinë e saj. Ka qenë njeri i madh, kardinali Njuman, e unë mendoj se me lumnimin e tij, me kremtimin e kujtimit të një njeriu, që ka qenë anglez i madh, evropian i madh, i krishterë i madh, Benedikti XVI dëshiron të verë në dukje një pjesë vërtet të rëndësishme të historisë angleze, të historisë britanike.
Pas tensioneve ndërmjet qeverisë laburiste e Kishës Katolike përsa i përket miratimit të së ashtuquajturës “Equality Bill”, e cila, në emër të mosdiskriminimit, lejon që fëmijët të adoptohen edhe nga çiftet homoseksuale, e pas zgjedhjes së kryeministrit, në ç’pikë janë marrëdhëniet shtet-Kishë?
Nuk besoj se qeveria britanike dhe Kisha Katolike kanë të njëjtin opinion mbi gjithçka. As unë nuk jam dakord gjithnjë me qeverinë, por shpresoj të jetë e mundur të përqendrohemi mbi argumentet më të rëndësishme, për të cilat jemi dakord, si barazia globale, arsimi, ekologjia, çarmatimi, roli i institucioneve fetare si Kisha Katolike në promovimin e solidaritetit shoqëror e në krijimin e një sensi të caktuar bashkësie. Këto janë pika, për të cilat merremi vesh e nuk mendoj që rendi i ditës të dominohet nga mosmarrëveshjet. Po e përsëris, nuk besoj se qeveria briantike e Kisha Katolike mund të veprojnë gjithnë në marrëveshje të plotë ndërmjet tyre, por jam i bindur, se secili në frontin e vet, po përpiqen t’i japin kësaj bote një formë më të qytetëruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.