2010-08-02 15:21:38

Shugurimi meshtarak i don Martin Jetishit e don Kastriot Idrizi në Prizren


Të shtunën e kaluar më 31 korrik, në festën e Shën Injacit Lojola, në Kishën katedrale të Zojës Ndihmtare në Prizren, ipeshkvi i Kosovës shuguroi për meshtarë dy diakojë të ri don Martin Jetishin e don Kastriot Idrizin.


Kështu pra më 31 korrik 2010, Kisha katolike e Kosovës pati një ditë të shënuar për të: shugurimin meshtarak të dy diakonëve, Don Martin Jetishi dhe Don Kastriot Idrizi. Meshën e shugurimit meshtarak e kryesoi ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me kryeipshkvin e Tivarit imzot Zef Gashin, meshtarë të Kosovës në Kishën Katedrale të Zojës Ndihmëtare në Prizren. Po kështu në Meshë ishte i pranishëm edhe Rektor i Seminarit të Lartë në Cremona të Italisë, si dhe meshtarë nga Shqipëria e Italia, që kishin ardhur enkas për shugurimin e Don Martinit dhe Don Kastriotit.
Një ndër gëzimet me të mëdha për një ipeshkëv, është patjetër kremtimi i shugurimit meshtarak, tha mes tjerash imzot Dodë Gjergji gjatë përshëndetjes së tij duke shpreh gëzimin e tij për këto dy thirrje të reja që i shtohen klerit të Kosovës e nënvizoi se shtrirja e duarve të ipeshkvit mbi kokat e dy të rinjve që po ia kushtonin jetën e tyre Jezu Krishtit e shërbimit të popullit të Zotit, është shenjë bekimi të Hyjit për Kishën në Kosovë.
Dhuratën e meshtarisë të marrë nga Hyji, don Martini e don Kastrioti e bashkëndanë me familjarë, të afërm, miq e besimtarë të tjerë nga bashkësitë famullitare. Përmes shtrirjes së duarve, këta dy meshtarë e pranuan dhuratën e veçantë të Shpirtit Shenjt që na bënë në mënyrë krejt të posaçme shërbetorë të Zotit e njëkočsisht shërbëtor të të gjithë njerëzve, pra do të jemi njëherë e përgjithmonë të Jezu Krishtit.
Në homelinë e rastit, kryeipshkvi i Tivarit imzot Zef Gashi, shprehu gëzimin për shurgimin e dy priftrinjve të ri e theksoi se meshtari i përket jo vetëm familjes kishtare që e lindi dhe e rriti po tërë Kishës kudo në botë e kështu derisa konstatokmë me gëzim se “klerit dioqezan në Kosovë po i shtohet numri, kjo është edhe një shenjë nga Hyji për të punuar edhe në dioqezat tjera në trojet shqiptar, ku ka nevojë për misionarë. Meshtarët e ri do të bëhen të ngjashëm me Krishtin, kryemeshtarin, do të shugurohen si meshtarë të vërtetë të Besëlidhjes së Re, dhe me këtë titull, i cili i bashkon në meshtari me ipeshkvin e tyre, do të jenë predikues të Ungjillit, barinj të popullit të Hyjit, e do të udhëheqin veprimet e kultit, posaçërisht në kremtimin e flisë së Zotit.”
Menjëherë pas homelisë, Mesha vazhdoi me ritet e shugurimit meshtarak, rite që tërhoqën vëmendjen e admirimin e të gjithë të pranishmëve. Kështu Kishës Katolike në Kosovë iu shtuan edhe dy meshtarë të rinj.
Po kujtojmë se meshtarët e rinj kremtojnë Meshën e Parë në famullitë e tyre: Don Kastrioti më 1 gusht, në Letnicë, ndërsa Don Martini më 3 gusht, në Gjakovë. Meshtarëve të rinj ju urojmë shërbim të shenjtë e të frytshëm në vreshtin e Zotit.
Ja edhe një biografi e shkurtër e meshtarëve të ri:

Don Martini e Don Kastrioti

Don Martin Jetishi, i lindur me 7 shtator 1983, në Gjakovë, por me prejardhje nga fshati Mejë. Vjen nga një bashkësi famullitare, e cila njëkohësisht është famullia më e madhe në Ipeshkvinë e Kosovës.
Don Kastriot Idrizi, i lindur me 19 dhjetor 1983, në Stubllën e Epërme, por me prejardhje nga Letnica, ku është Shenjtërorja dioqezane e Virgjërës Mari, ku Nënë Tereza si vajzë ka shtegtuar në këtë vend.
Në vitin 1998 kanë hyr në Seminarin Imzot Lazër Mjeda, ku kanë vazhduar Shkollën e Mesme në Prizren. Në vitin 2003, Ipeshkvi Imzot Mark Sopi, i ka dërguar në Cremona për studime teologjike.
Gjatë formimit në Seminar dy të rinjtë kanë zhvilluar shërbimin në dy famulli të dioqezës së Cremona-s: Don Kastrioti në famullitë në Pieve San Giacomo, në Pizzighettone, në Martignana Po dhe në Virgjëra Maria e Caravaggio-s; ndërsa Don Martini në Cremona në Shën Sebastian e Shën Mikeli, në Casanova të Morbascos dhe në Grontardo.
Janë shuguruar diakon me 6 gusht 2009 në Shenjtëroren në Letnicë nga Imzot Dodë Gjerjgi dhe kanë ushtruar vitin diakonal në famullinë e Novosellës e të Velezhës, duke ruajtur kontaktet me Cremonën për përfundimin e studimeve teologjike.

Seminiaristët e Kosovës në Cremona

Sipas një bashkëpunimi të thellë ndërmjet Dioqezës së Kosovës dhe Dioqezës së Cremonas, ipeshkvi i Kosovës dërgon seminaristët për të studiuar teologjinë në Cremona. Të parët qenë Don Anton Ukaj e Don Jeton Thaqi, të shuguruar në vitin 2005, ndërsa në vitin 2003 janë shtuar Don Kastrioti e Don Martini. Ky bashkëpunim i thellë vazhdon me seminaristin Alfred Sokoli, i cili tashmë ka përfunduar vitin e dytë të teologjisë.

Nga Prishtina na njofton don Albert Jakaj.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.