2010-08-02 16:20:42

Raul Kastro lajmëron reforma ekonomike. Hapa drejt ndryshimeve cilësore.


(02.08.2010 RV)Presidenti kuban, Raul Kastro foli dje para parlamentit, duke lajmëruar reforma të reja ekonomike e duke prekur tema të tjera. Të dëgjojmë ekspertin e çështjeve latinoamerikane, gazetarin Luis Badilla:RealAudioMP3
Raul Kastro preku kryesisht katër tema të mëdha. E para ka të bëjë me reformat ekonomike. E dyta me situatën ekonomike të vendit në përgjithësi, në kuadrin e krizës ndërkombëtare. Argumenti i tretë trajton marrëdhëniet e Kubës me SHBA-të, në veçanti, që kur është president Barak Obama. Së fundi, Kastro foli edhe për disidentët politikë, që janë liruar kohët e fundit nga burgu.
Pati interes, sidomos për reformat ekonomike…
Në këtë fushë, Raul Kastro shpalli disa ndryshime. Do të autorizohen biznese të vogla tregtare private, do të liberalizohet më shumë kostoja e krahut të punës, do t’u jepet njerëzve ligjërisht mundësi të punojnë për vete, me një regjim të ri fiskal për profesionistët e lirë. Ndoshta lajmi më delikat është ai i shkurtimit drastik të burokracisë shtetërore, brenda qershorit të ardhshëm.
Çështje tjetër me rëndësi është ajo e disidentëve politikë…
Presidenti kuban u kufizua në përshkrimin e zhvillimeve të muajve të fundit. Nuk përmendi kurrë Kishën e nuk foli për dialogun me të për çështjen e disidentëve. Nguli këmbë shumë mbi faktin se lirimi i tyre ka qenë një akt sovran i shtetit kuban, pa asnjë lloj presioni. Nuk lajmëroi për lirime të reja e as tha se ç’do të ndodhë në të ardhmen si për këtë proces, si për dialogun me Kishën Katolike.
Po për marrëdhëniet me SHBA-të, çfarë tha?
Tha se s’ka ndryshuar asgjë e se embargo vazhdon. Por shtoi edhe se ka më pak retorikë e se periodikisht ka biseda mbi argumente të caktuara. Raul Kastro po bën hapa të vogla, por që fillojnë të përvijojnë ndryshime cilësore të rëndësishme.







All the contents on this site are copyrighted ©.