2010-08-02 16:15:57

Papa në Engjëllin e Tënzot: jeta nuk varet nga pasuria. Kënaqësia për hyrjen në fuqi të Konventës kundër armëve copëtuese.


(02.08.2010 RV)“Jeta e njeriut nuk varet nga pasuritë e tij; kush është i urtë, duhet të grumbullojë pasje, që nuk kalben kurrë, që i bëjnë ballë kohës”: këtë theksoi dje Papa Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, duke komentuar Ungjillin e së dielës. Pasuritë tokësore, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk janë qëllim, por mjet, që na ndihmon të ecim në udhën drejt amshimit. T’i hapim, prandaj, zemrat tona e t’i ndihmojmë vëllezërit , duke u pasuruar kështu para syve të Zotit.RealAudioMP3
Pas lutjes mariane, Papa shprehu kënaqësinë e tij të thellë për hyrjen në fuqi, pikërisht dje, të Konventës për ndalimin e municioneve copëtuese, duke i ftuar të gjitha shtetet ta miratojnë.

“Jeta e përditshme na mëson se gjithçka kalon në këtë botë: nga ky mendim u nis reflektimi i djeshëm i Papës. Ati i Shenjtë kujtoi shenjtorët, që kremton këto ditë Kisha katolike dhe rrugën në të cilën ecën gjithë jetën, në përpjekjen për t’i përngjarë sa më shumë Krishtit e për të shkelur mbi gjurmët e tij, pa asnjë kompromis. U ndal posaçërisht tek figura e Shën Injacit të Lojolës, i cili bëri kthesën e madhe në jetë, duke lexuar jetën e Jezusit e të shenjtorëve, kur një plagë e rëndë, marrë në një betejë, e detyroi të rrinte për shumë kohë në krevat. Shën Alfons Maria de’ Liguorin, pastaj, e Shën Euzebin, ipeshkvin e parë të Piemontit, mbrojtës i flaktë i hyjnisë së Krishtit e, së fundi, Shën Gjon Maria Vianejn, Famullitarin e Arsit, që me shembullin e tij udhëhoqi Vitin meshtarak, të sapopërfunduar. Ndërmjetësimit të tij Papa ia besoi përsëri të gjithë barinjtë e Kishës:
“Impenjmi i përbashkët i këtyre shenjtorëve ishte të shpëtonin shpirtrat e t’i shërbenin Kishës me karizmat e tyre, duke u përpjekur ta përtërinin e ta pasuronin. Këta njerëz fituan një “zemër të urtë” (Ps. 89,12), duke grumbulluar çka nuk kalbet kurrë e duke flakur tutje atë që, me kalimin e kohës, ndryshon në mënyrë të pakthyeshme: pushtetin, pasuritë e kënaqësitë, gjithnjë të përkohshme. Duke zgjedhur Zotin, patën gjithçka u nevojitej e, për më tepër, arritën ta parashijonin amshimin, që në jetën tokësore”(cfr Kish 1-5).
Duke komentuar Ungjillin e djeshëm, në të cilin Jezusi tregon shembëlltyrën e pasanikut të pamend, që kishte grumbulluar pasuri të pamasë e që kujtonte se me to mund të bliheshin deri jeta e vdekja, Papa pohoi:
Njeriu i pamend i Biblës është ai që, duke u nisur nga përvoja e sendeve, nuk do të pranojë se asgjë nuk zgjat përgjithmonë, gjithçka kalon: rinia e forca fizike; rehatia e pushteti. T’ia lësh jetën tënde peng këtyre realiteteve kaq kalimtare, do të thotë të jesh i pamend, si pasaniku i shembëlltyrës, që besonte se do të rronte sa kamja e tij. Ndërsa njeriu që i mbështet shpresat në Zotin, nuk trembet nga vështirësitë e jetës, madje nuk ia ka frikën as vetë vdekjes, sepse ka fituar një zemër të urtë, ashtu si Shenjtorët”.
Më pas Ati i Shenjtë vijoi të kujtonte disa nga festat më të rëndësishme të këtyre ditëve : ndjesën e Asizit, që nisi sot; Kushtimin e Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, më 5 gusht, që kremton Nënën e Zotit, titull me të cilin u thirr për herë të parë në Koncilin e Efezit të vitit 431 e, të premten e ardhshme, përvjetorin e vdekjes së Palit VI, në festën e Shndërrimit të Zotit. Data 6 gusht, kujtoi Ati i Shenjtë, që konsiderohet si datë kulmore e dritës verore, u zgjodh për të treguar se shkëlqimi i Fytyrës së Krishtit ndriçon mbarë botën.
Në përfundim, Papa shprehu kënaqësinë e tij të thellë për ngjarjen e madhe të djeshme, hyrjen në fuqi të Konventës për ndalimin e municioneve copëtuese, që u shkaktojnë civilëve dëme të papranueshme:
Mendimi im i parë shkon tek viktimat e shumta, që vuajtën e vijojnë të vuajnë për shkak të dëmeve fizike e morale, shkaktuar nga këto bomba, të cilat rrezikojnë shumë jetë njerëzish. Pa harruar se prania e tyre në terren shpesh pengon për një kohë të gjatë edhe rifillimin e veprimtarive të përditshme të bashkësive të tëra. Me hyrjen në fuqi të Konventës së re, duke i ftuar të gjithë shtetet ta miratojnë, theksoj se bashkësia ndërkombëtare tregoi urti, largpamësi e aftësi për të arritur një rezultat domethënës në fushën e çarmatosjes e të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Uroj e inkurajoj të vijojë me zell gjithnjë më të madh ecja në këtë rrugë, për mbrojtjen e dinjitetit e të jetës njerëzore, për promovimin e zhvillimit të gjithanshëm, për vendosjen e një rendi ndërkombëtar paqësor si dhe për realizimin e së mirës së përbashkët të të gjithë njerëzve e të mbarë kombeve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.