2010-08-02 16:53:29

Papa emëron atë Jozef W. Tobin sekretar të ri të Kongregatës për Rregulltarët


Benedikti XVI ka emëruar rregulltarin redentorist atë Jozef Villiam Tobin, sekretar të ri të Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare e Shoqëritë e jetës apostolike, duke e ngritur njëkohësisht në dinjitetin e kryeipeshkvit.
Atë Jozep Villiam Tobin ka lindur në Detroit, Wayne Country, Michigan, më 3 maj 1952. Në mbarim të formimit ka bërë kushtet e përjetshme në jetën rregulltare më 21 gusht 1976. Ka pranuar shugurimin meshtar më 1 gusht 1978. Në vitin 1975 ka arritur Bakalaureatin në Filozofi pranë Holly Redeemer College, Waterford (Wisconsin); më 1977 Master of Religious Education e më 1979 Master of Divinity (teologjinë baritore) pranë Mount Saint Alphonsus Majort Seminary (New York). Nga viti 1979 deri më 1984 ka qenë vikar famullie i Holly Redeemer Parrish në Detroit. Në të njëjtën bashkësi kishtare ka zhvilluar shërbimin e tij si famullitar nga 1984 deri më 1990.
Vikar Episkopal për Kryedioqezën e Detroitit nga viti 1980 deri më 1986, ka ofruar bashkëpunimin e tij edhe pranë Gjykatës dioqezane. Qe zgjedhur këshilltar i përgjithshëm i Etërve Redentoristë më 1991 e më 9 shtator 1997 epror i përgjithshëm, i rizgjedhur pastaj në të njëjtën detyrë më 23 shtator 2003. Në të njëjtin vit është bërë zëvendës-president i Unionit të Eprorëve të Përgjithshëm të Rregulltarëve. Më tej ka qenë anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet mes Kongregatës për Institutet e jetës së përkushtuar e Shoqëritë e jetës apostolike dhe Unionit Ndërkombëtare të eprorëve e eproreve të përgjithshme të rregulltarëve nga 2001 e deri më 2009. Njeh anglishten, spanjishten, frëngjishten, italishten e portugalishten.







All the contents on this site are copyrighted ©.