2010-08-02 14:41:04

Ndërsa afrohet 100-vjetori i lindjes të së Lumes Nënë Terezë, sot u mbushën 91 vjet nga vdekja e Kolë Bojaxhiut, babait të saj fatlum.


(2.8.2010 RV)Babai i së Lumes Nënë Terezë, Kolë Bojaxhiu vdiq e u varros më 2 gusht të vitit 1919. Nuk dihet ku pushojnë në paqe eshtrat e tij. Madje deri para një viti nuk i dihej as dita e vdekjes, të cilën e bëri të njohur Albert Ramaj në një shkrim botuar në gazetën ‘Shekulli’.
Kujtojmë se Nënë Tereza kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai, që quhej Lazër, studioi në Akademinë Ushtarake të Gracit në Austri, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age.
Më 26 shtator 1928 Ganxhja u largua nga familja për t’u nisur drejt Dublinit. Nga kjo ditë anëtarët e familjes Bojaxhiu nuk do të mblidheshin kurrë më të gjithë së bashku.
Nga Dublini Rregulltarja shqiptare do të nisej për në Kalkutë të Indisë ku natyrisht e merrte malli për të vetët, për familjen që tashmë ishte shprishur. Lazri ishte në Itali, ndërsa Nënë Drandja e Agia- në Tiranë. Shqipëria ia kishte mbyllur derën, por në Shkup mund të shkonte, ndonëse atje e priste vetëm varri i t’et. Kur mundi të kthehej, nuk gjeti më as familje, as shtëpi e as varr. I pakujdesur nga të afërmit e larguar prej Shkupit, varri kishte humbur.
Ndërkaq në Tiranë i vdiqën njëra pas tjetrës nënë Drandja (1971) dhe Motra Age (1973).
Nënë Tereza do ta takonte Lazrin vetëm mbas 30 vjetësh. Ndërsa për nënën dhe motrën do të mund të thoshte një ‘Epjau Zot pushimin e pasosun’ e të derdhte dy pika lot, vetëm më 1990.







All the contents on this site are copyrighted ©.