Me 2 gusht kalendari Kishtar përkujton Shën Euzebin e Verçelit.
(02.8.2010 RV)Shën Euzebi, që njihet me atributin “i Verçelit”, gjë që zakonisht
tregon vendlindjen, në të vërtetë lindi në Sardenjë nga fundi i shekullit III dhe
fillimi i shekullit IV. Emrin Euzeb e mori në Romë ku, si vendosi të kthehej në fenë
e krishterë, u pagëzua nga Papa Euzebi. Aty nga viti 345, pasi kishte kryer studimet
kishtare, fitoi admirimin e Papës Juli I, i cili e emëroi ipeshkëv të Verçelit. Këtu
vendosi të jetonte në kuvend, së bashku me priftërinjtë e tij, duke e lidhur kështu
ngusht ungjillëzimin me stilin e jetës murgare. Ishte shok i ngushtë me Liberin,
që më pas do të bëhej papë. I bashkonte dëshira për ta jetuar deri në fund të fundit
Ungjillin. Gjatë veprimtarisë së tij si ipeshkëv i Verçellit, vend që i dha atributin,
hasi vështirësi të mëdha aq, sa për qëndrimin e tij të palëkundur, u internua në Azi
nga perandori arian Kostanci, së bashku me ipeshkvin e Milanos, Dionizin. Atje
u torturua, vuajti nga uria e nga etja por, pati fatin të rikthehehej në selinë e
vet ipeshkvnore, njëherësh me Dionizin. Shën Euzebi e drejtoi Kishën e Verçellit me
urti e shenjtëri edhe dhjetë vjet pasi u kthye nga internimi. Ia fitoi zemrën të gjithëve
me oratorinë e jashtëzakonshme. E jo vetëm sepse fliste mrekullisht mirë, por ajo
që ka më tepër rëndësi, sepse shprehte atë që e ndjente në thellësi të shpirtit. E
ashtu si kishte jetuar me frymën e Ungjillit, ashtu edhe vdiq. Kur mbylli sytë në
qytetin ku ishte ipeshkëv e ku ruhen edhe sot reliket e tij, edhe viti 371 numëronte
ditët e fundit.
Sipas traditës, themeloi dy shenjtërore shumë të njohura: atë
të Oropës (Biela e sotme) dhe atë të Kreas (Aleksandria e sotme). Shën Euzebi është
pajtor i zonës piemonteze të Verçelit në Itali. Emri i tij vjen nga greqishtja e do
të thotë njeri i mëshirshëm, që jeton me frikën e Zotit, ndërsa simbolet e Shenjtit
janë shkopi baritor dhe mitra.