2010-08-02 16:16:11

Filloi pesëmbëdhjetëditëshi i lutjes, në përgatitje të Solemnitetit të Zojës së Madhe.


(02.08.2010 RV)Filloi dje pesëmbëdhjetëditëshi i lutjes, në përgatitje të Solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, që do të kremtohet më 15 gusht. Liturgjia frymëzohet nga traditat lindore të Kishës siriake, kopte, etiopike e armene e, posaçërisht, nga liturgjia e ritit bizantin. Në Romë, lutja kremtohet çdo ditë, në orën 21. 30, në bazilikën e Zojës së Bekuar, në Rrugën Lata, kryesuar nga atë Ermano Toniolo, rregulltar i Shërbëtorëve të Marisë. Ndërsa lutjet mbrëmësore të natës së festës do të kremtohen në bazilikën papnore të Shën Marisë së Madhe, të pasuruara me troparet ruse të kalimit të Marisë nga jeta tokësore, në lumninë e asaj qiellore.RealAudioMP3
Atë Toniolo, në mikrofonin tonë, flet për kuptimin liturgjik të këtij pesëmbëdhjetëditëshi, që i parapërgatit besimtarët për fesën më të madhe të verës në kalim, të Ngjiturit e Zojës në Qiell:

Përgjigje: - Pesëmbëdhjetëditëshi kushtuar Virgjërës Mari është përgatitje për Pashkët e Zojës. Mund të krahasohet me përgatitjen krezhmore të 40 ditëve para Pashkëve të Zotit. Ashtu si kur përgatitemi për Pashkët e Zotit, me agjërim, pendesë e lutje, kështu bëjmë edhe gjatë këtij pesëmbëdhjetëditëshi, të cilin bizantinët e quajnë “Krezhmët e vogla të Nënës së Zotit”. Përgatitja, pra, nis me shumë agjërim e edhe më shumë lutje. Si përgatitje, është tejet e lashtë, e festa, edhe më e lashtë: nis që në shekulin VI. Ndërsa përgatitja, që nga shekulli IX, gjithnjë me lutje e agjërim. Në të gjitha kishat, ku bëhet përgatitja, besimtarët i luten Nënës së Zotit, që është avokatja e ndërmjetësuesja jonë, të na ndihmojë të bëhemi gati në atë mënyrë, që të mund të gëzojmë, një ditë, së bashku me Të, lumturinë e dritës qiellore.

Pyetje: - Për shumkënd kjo është periudhë pushimesh: ndonjë këshillë për ata, që duan të përgatiten për festën, por nuk mund të marrin pjesë në Liturgji…

Përgjigje: - Mund të themi se mbarë gjithësia është liturgji. Kur shkoj në det, për shembull, para syve të mi hapet një faqe mahnitëse liturgjie. Atëherë nga thellësitë e zemrës, lind lutja: “Si ndriçon, o Zoti ynë, emri yt, përmbi gjithë tokën”. E kënga e Marisë lulëzon në buzët, që hapen vetvetiu për të madhëruar Zotin. Duke u mahnitur përballë mrekullive të krijesës, nuk mund të mos i çojmë sytë drejt qiellit, për të kundruar Krijuesin, së bashku me Atë, që u bë Kënga e Zotit, Kënga e njerëzimit, Kënga e krijesës, pa kurrfarë stonimi; bukurisë njerëzore, që u bë përmbushje e hirit të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.