Dom Ndre Mjedja, Mësues Feje e Poezie - në 73 vjetorin e vdekjes.
(02.8.2010 RV)Me 1 gusht u mbushën 73 vjet nga vdekja e poetit të madh, Dom Ndre Mjedja
(1866 – 1937). Prifti e poeti don Ndreu i mbylli sytë në Shkodër, më 1 gusht 1937,
pas një veprimtarie të palodhur fetare, kulturore e atdhetare. Mori pjesë në Kongresin
e Manastirit, ishte nismëtar për formimin e Komisisë letrare, themeloi shoqërinë kulturore
"Agimi", punoi shumë për gjuhën shqipe, shkroi poezitë e përmbledhura në "Juvenilja",
ndërmjet të cilave shkëlqejnë poemthat "Andrra e jetës", "Vaji i bylbylit", "Liria",
"Lisus", "Skodra"… Në një ditë si kjo, ia vlen jo vetëm të kujtosh artin e tij,
por, mbi të gjitha, të mendosh sesi mund të nxirren në dritë thesare ende të pa zbuluara
të krijimtarisë së tij. Nuk është aspak e çuditshme që edhe veprat e Mjedës, ndonëse
i vetmi klerik katolik i pranuar ndërmjet shkrimtarëve që studioheshin ndër shkolla,
gjatë periudhës së diktaturës, iu nënshtruan çensurës. Këtë fat patën kryesisht veprat
me karakter fetar edhe disa krijime më pak të njohura poetike si “Majerling”, “Bija
e verbtë ç’prei t’lémi”, dhe “Kânga e Mahmud Pashës”, botuar (ndërmjet poezive të
tjera të Mjedës në Shahiri Elierz. Do bejta qi ka qít N. M. i S.J.) si shtojcë e një
flete fetare nga Jak Junku në Kulshedra e Shpirtit, zblue t’rijve prei P. J. Junkut
t’Shoqnís Jezu. Deri më sot nuk kemi një përmbledhje të veprave të Mjedës në prozë,
studimet e tij për shkrimtarët e vjetër të Veriut dhe sidomos librat si “Jeta e shejtit
sh’Njon Berchmans”, “T’pergiamit e Zojs Bekueme”, “Katekizmi i madh” në tre vëllime,
“Historija Shęjte”. Janë vepra që mbushin një zbraztësi të madhe në historinë
e letërsisë shqipe, ku mungon plotësisht studimi i veprave me karakter hagjiografik,
dmth tregimeve mbi jetën e shenjtorëve. Një nga veprat e munguara të Mjedës, me vlera
të mëdha studimore në lëmin e gjuhës shqipe e sidomos të terminologjisë fetare, është
oficja “Vizari Shpirtënuer”, punuar nga poeti-meshtar në bashkëpunim me fratin françeskan,
Atë Benedikt Dema, pa kujtuar këtu letërshkëmbim tepër të pasur të Priftit-poet e
gjuhëtar. Në përvjetorin e vdekjes së tij, Dom Ndre Mjeda na flet përsëri për veprën
e tij të palodhur në dobi të fesë e të kombit, me të cilën është marrë plot përkushtim
individual studiuesi Mentor Quku, i cili vijon të botojë vëllime të reja mbi gjithçka
ka lidhje me emrin e madh të Ndré Mjedës. Sot, Ndré Mjeda pati përvjetorin e vdekjes.
Të shpresojmë se kjo ngjarje nuk do të kalojë në harresë, ashtu si kaloi 81- vjetori
i lindjes së nënësit të tij të madh, Martin Camajt, që vijoi rrugën letrare të cilën
një plejadë yjesh të letrave shqipe e patën nisur në bankat e Kolegjit Saverian të
Etërve Jezuitë në Shkodër, ku patën mësues feje, gjuhe shqipe e poezie - Dom Ndré
Mjedën.
Liria
- I - O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n'ato maja; mbi bjesh' t'thepisuna e n'ograja, ku
del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndikund, kah fluturoni ndër
shkrepa, me ushtue kangën e saj? A keni ndie nji kangë të patravajë?*) O shqipe,
o zogjt' e maleve, kallzoni!
"Lirim, lirim!" -- bërtet gjithkah malsia. A
ka lirim ky dhé që na shkel kamba, a veç t'mjerin e mblon anemban' robnia? Flutro
shqipe, flutro kah çelet lama, sielliu maleve përreth që ka Shqipnia, e vështroje
ku i del lirimit ama. .................................
- VI - Por
nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria: Lodhun prej hekrash që mizori e njiti, lodhun
prej terri ku robnimi e qiti, shpreson me e zgjue fluturim mënia.**)
E
kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti kasoll'
për kasoll' rreth buneve***) e soditi frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija
e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin nanat e Hotit djelmënin' ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji iu qitin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.
*) pa vuajtje, pa mjerim. **) urrejtja ***) banesave ....................
Gjuha shqipe
Përmbi za që lshon bylbyli, gjuha
shqipe m'shungullon përmbi er' që jep zymbyli, pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera, ku e shkoj jetën tash sa mot, veç
për ty m'rreh zemra e mjera e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë që
jam tue ndie, jan' të bukra me themel por prap' kjo, si diell pa hije, për
mue t'tanave iu del . ................................
Ku n'breg t'Cemit
rritet trimi me zbardh, Shqipe, zanin tand, e ku Drinit a burimi që shpërndahet
kand e kand.
Geg' e tosk', malsi, jallia jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.
Qoftë
mallkue kush qet ngatrrime ndër kto vllazën shoq me shoq, kush e dan me flak'
e shkrime çka natyra vet' përpoq.
Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera si
nj'bij' kjo që pa prind mbet: për t'huej t'mbajshin dhenat tjera, s't'kishte
kush për motër t'vet.
E njat tok' që je tue gzue, e ke zan' tash sa mij'
vjet, shqiptaria, që mbet mblue sot nën dhe, edhe shqip flet.
Vaji
i Bylbylit
Po shkrihet bora, Dimni po shkon; Bylbyl i vorfën, Pse
po gjimon?
Pushoi murlani Me duhi t'vet; Bylbyl i vorfën, Çou mos
rri shkret.
Gjith fushët e malet Blerim i mbëloj; Livadhi e pema Gjithkah
lulzoj.
Ndër pyje e orgaja, N'ma t'mirin vend, Me rreze dielli Po
e gëzon gjith'kend.
E tuj gjimue Shkon rreth e rreth Nji prrue qi veret Rrjedh
nëpër gjeth.
A çilë kafazi, Bylbyl, flutro; Ndër pyje e orgaja, Bylbyl,
shpejto.
Kerkush ma hovin Atje s'ta pret, Me zeher haejen Kerkush
s'ta qet.
Kafaz ke qiellin, Epshin pengim, E gjith ku t'rreshket Shkon
fluturim.
Nëpër lamije Ke me gjet mel, Për gjith'prendverën Njajo
buk t'del.
E kur t'zitë edi ndër prroje pi, Te njato prroje Qi ti
vetë di.
Tash pa frigë çerdhen E ban ndoj lis; Nuk je si'i nieri Qi
nuk ka fis
E kur t'vin zhegu, Kur dielli shkon, Ti ke me këndue Si
ke zakon.
Rreth e rreth gjindja Me t'ndie rri; Prej asi vendit Dahen
me zi.
A çilë kafazi, Bylbyl, flutro; Ndër pyje e ograja, Bylbyl,
shpejto.
Ndër drandofille, Ndër zamakë nga; Ku qeshet kopshti, Idhnim
mos mba.
Po shkrihet bora, Dimni po shkon; Biylbyl i vorfën , Pse
po gjimon?