2010-07-31 16:11:07

Ekspertët e artit mendojnë se piktura e Kishës së Jezusit, në Romë, nuk është e Karavaxhos


(01.08.2010 RV)Martirizimi i Shën Lorencit, piktura e restauruar pak kohë më parë në Kishën e Jezusit, nuk është e Karavaxhos. Pas përgënjeshtrimit në “Osservatore Romano’ nga ana e drejtorit të muzeve të Vatikanit, Antonio Pauluçi, edhe specialistë të tjerë, të thirrur në Romë nga drejtoresha e polit muzeal, Rossela Vodret, shprehën një zëri mendimin se vepra nuk i përket penelit të Mikelanxhelo Merizit, por, me sa duket, ithtarëve të tij, ndonjërit prej atyre piktorëve, që njihen si karavaxheskë, i cili ka shumë mundësi të ketë qenë jugor, ndoshta nga zona ndërmjet Sicilisë e Maltës.
Kujtojmë, në radhë të parë, se kuadri, këto ditë në qendër të vëmendjes së mjeteve të komunikimit, që vjen nga një shtëpi jezuitësh, gabimisht u quajt i Karavaxhos. Subjekti i kompozimit, pikturuar me bojëra vaji mbi pëlhurë, restauruar e pastruar nga shenjat e kohës, është martirizimi i Shën Lorencit, realizuar me kontraste kromatike, që të kujtojnë menjëherë stilin e mjeshtrit Lombard: martiri paraqitet i vendosur mbi skarën e skuqur, me fytyrë përmbys; pranë tij, tre xhelatë, njëri nga të cilët zë vrimat e hundës me gishtat e dorës së djathë. Drita hyn nga lart, nga e majta e atij që e shikon pikturën; nënshkrimi nuk është i Mikelanxhelo Merizit. Kështu mendon edhe Mina Gregori, një nga studiueset e Karavaxhos, në nivel ndërkombëtar:RealAudioMP3

 
Përgjigje: - Nuk është e Karavaxhos; nuk gjej në të karakteristikat e piktorit, që shprehet përmes tipeve të tij të veçanta. Ndonëse realist, i kishte tipet e veta. Megjithatë ka edhe elemente, që përkojnë, si drita, realizimi, dhuna e veprimit. Këto janë elemente të frymëzimit karavaxhesk, por Karavaxho do t’i kishte përkryer më shumë, do t’i kishte lëmuar, sepse ai vërtet bënte edhe punë me subjekte të dhunshme, por i realizonte gjithnjë në mënyrë elegante, aq sa të dukeshin si të pesëqindës. Ndërsa ky ka shumë mundësi të jetë piktor i gjashtëqindës.

Pyetje: - Mënyra si vendoset martiri, a ju duket diçka krejt e re?

Përgjigje: - Po, por nuk më çudit tepër. Në të vërtetë zakonisht shenjtorët shikojnë lart, por mund të ketë edhe shembuj të tjerë.

Pyetje: - Ndoshta kjo vepër pati fatin e keq t’i atribuohej pak si shpejt Karavaxhos e tani ka rrezik të pësojë një fat edhe më të keq: të zhvleftësohet fare. Them fati të keq, sepse një farë vlere do ta ketë, që kur mblodhi rreth vetes kaq shumë njerëz për ta vlerësuar…

Përgjigje: - Them se është punë me vlerë. E tregon vetë fakti që u shikua si Karavaxho. Me këtë mendim u sollën rreth saj shumë personalitete, në etapat e ndryshme të studimit, sepse nuk është vetëm Roma, por edhe Napoli, edhe Sicilia.

Vepra, e ekspozuar vetëm një ditë në kapelën anësore të Kishës romake, do të vijojë të studiohet, për të formuluar një mendim më të saktë, prej këndej, mendohet të vendoset në një vend, ku mund të shikohet nga shumë vizitues.

Atë Daniel Libanori, rektor i Kishës së Jezusit në Romë, sqaron:
"Po përpiqemi të përgatisim një muze të vogël në Kishë. Ndoshta mund të jetë këtu vendi më i përshtatshëm. Pastaj nuk është thënë ende fjala e fundit mbi vlerën e kësaj pikture në kontekstin karavaxhesk. T’ia lemë fjalën ekspertëve”.
Studimet më të hollësishme, me aparatet përkatëse, njofton Rozela Vodret, do të nisin nga shtatori i ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.