Kisha është e re e plot gëzim, pavarësisht nga vuajtjet: kështu Benedikti XVI në përfundim
të filmit mbi 5-vjetorin e papnisë së tij
(30.07.2010 RV)Kisha, megjithëse vuan shumë, është e re e plot gëzim: kështu
tha Ati i Shenjtë dje, në përfundim të projektimit të filmit “Pesë vjetët e Papës
Benedikti XVI” në Sallën e Zviceranëve në Pallatin Apostolik të Kastelgandolfos. Papa falenderoi
autorët dhe realizuesit e filmit, për të cilin u shpreh: “Personalisht për
mua ishte tepër mallëngjyese të shihja disa momente, sidomos atë kur Zoti më vuri
mbi shpatulla barrën e shërbimit petrin. Një barrë, që askush nuk mund ta mbajë me
forcat e veta, por mund ta mbajë vetëm sepse na mban e më mban Zoti”. E pastaj,
duke sintetizuar filmin, shtoi: “Më duket se në këtë film kemi parë pasurinë
e jetës së Kishës, shumëllojshmërinë e kulturave, të karizmave, të dhuratave të ndryshme
që jetojnë në të, duke e lënë gjithnjë të njëjtën e të vetmen Kishë. Primati petrin
ka këtë mandat: ta bëjë të dukshëm e konkret bashkimin në histori, në unitetin e së
tashmes me të kaluarën, të ardhmen e amshimin”. Duke shprehur vlerësimin për
filmin e duke marrë shkas prej tij, Benedikti XVI reflektoi mbi gjendjen aktuale të
Kishës: “Kemi parë se Kisha, edhe sot, pavarësisht se vuan shumë, siç e dimë,
është një Kishë plot gëzim, nuk është Kishë e plakur, por e re e feja krijon gëzim.
Prandaj, m’u duk shumë interesante, një ide e bukur, ajo e zhvillimit të filmit në
kornizën e sinfonisë së nëntë të Beethovenit “Himni i gëzimit”, që tregon se pas krejt
historisë qëndron gëzimi i shëlbimit. Më pëlqeu shumë që filmi përfundoi me vizitën
te Nëna e Zotit, që na mëson përvuajtërinë, bindjen dhe gëzimin se Zoti është me ne”.