2010-07-29 14:31:37

Çelësi i fjalëve të Kishës: "lutja"


(29.07.2010 RV)Arritëm sot në emisionin e 60-të të ciklit mbi fjalët e Kishës. Jemi në mesin e pushimeve verore, gjatë të cilave secili përpiqet të pushojë e të mbledhë forcat për pjesën tjetër të vitit. Edhe Papa Benedikti XVI ndodhet në Kastelgandolfo, nga ku ka thënë disa herë se pushimet janë kohë e përshtatshme për t’u lutur e për t’u afruar me Zotin. Pikërisht fjalën “lutje” do të përpiqemi të shpjegojmë sot, duke hyrë në kuptimet me të cilat është përdorur ajo në Shkrimin e Shenjtë. Pse duhet të lutemi?


“Të lashtët thoshin se të lutesh do të thotë të marrësh frymë. Që këtu shihet sa marrëzi është të flasësh për “pse”-në. Pse marr frymë? Sepse përndryshe do të vdisja. Kështu edhe me lutjen”. Ky reflektim i filozofit danez Kirkegard e përcakton qartë nevojën e lutjes si frymëmarrje për shpirtin. Kjo është arsyeja, që të gjitha fetë zotërojnë një trashëgimi të pasur me lutje dhe u mësojnë besimtarëve mënyrën si të luten, vetëm ose në bashkësi.
Përveç subjektit, lutja karakterizohet edhe nga koha e hapësira. Kështu, nga njëra anë, ka situata të ndryshme, në të cilat ngrihet zëri për t’iu drejtuar Hyjit: gjatë festave, gjatë zisë, në lindje e në vdekje, në dasma e në luftra, kur jemi të ndërgjegjshëm se kemi mëkatuar e kur zhytemi në intimitet mistik… Madje, kemi edhe kalendarin liturgjik, që përcakton kohët e shenjta e na drejton në lutje. Nga ana tjetër, lutja e ka hapësirën e vet të privilegjuar brenda tempullit, por nuk përjashton hapësira më intime, si ato brenda një dhome, ose brenda shpirtit të njeriut, siç thotë edhe vetë Jezusi “mbyll pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi” (Mt 6,6).
Besëlidhja e Vjetër është plot me forma e figura lutjeje, duke filluar që nga thirrja e Evës, e cila, pasi lindi birin e saj të parë, Kainin, tha: “Prej Zotit e fitova një njeri” (Zn 4,1). Por kulmi arrihet me 150 psalmet, që mbulojnë krejt botën e lutjeve biblike, aq sa të bëhen më vonë thelbi i lutjes së krishterë. Teksti kapital për të krishterët është pa dyshim Atyna, “lutja e përsosur”, siç e quante shën Toma i Akuinit.
Kjo lutje na paraqitet përmes dy mënyrave të ndryshme, që në thelb janë të njëjta: nga shën Mateu ungjilltar (6,9-13) dhe nga shën Luka ungjilltar (11,2-4). Dallohet nga lutjet e tjera pasi i drejtohet Zotit me intimitet, duke e quajtur Atë e, pasi bën thirrje për ardhjen e mbretërisë së Hyjit. Atyna pasqyron qartë dy aspekte themelore të lutjes. I pari është ai i thurjes së lavdeve për Zotin, për veprën e Tij shëlbuese e për vullnetin e Tij; është kremtimi i lavdisë së Hyjit dhe i dashurisë së Tij, i emrit dhe i pranisë së Tij në historinë njerëzore.
Aspekti tjetër, shumë i theksuar edhe në Librin e Psalmeve, është ai i përgjërimit që Zoti të na mbështesë në jetën e përditshme, të na qëndrojë afër në kohë sprove e të na lirojë nga e keqja. Figura e Krishtit paraqitet shpesh si ai, që lutet në mënyrë të përsosur, që hyn në dialog me Atin Qiellor në vetmi, ose që ia beson veten Atij edhe në çastet me dramatike të Mundimeve: kujtojmë këtu, për shembull, skenën emocionuese të Gjetsemanit (Lk 22,39-46). Shën Luka ungjilltar është shumë i kujdesshëm të nxjerrë në pah se çdo veprim i rëndësishëm në jetën publike të Krishtit shoqërohet me lutje, ndërsa shën Gjoni ungjilltar na ka lënë lutjen madhështore përfundimtare, që mbyll diskutimet në Darkën e Mbrame (kap. 17), me një pjesë prej së cilës, po e mbyllim edhe ne emisionin e sotëm:
“O Atë, arriti koha:
jepi lavdi Birit tënd
që Biri të japë lavdi Ty
e që me pushtet,
të cilin ia dhe mbi çdo njeri,
t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre
që ia dhe Ti.
E kjo është jeta e pasosur:
që të njohin Ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë,
dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.