2010-07-29 16:23:11

Shqipëri: sektori i prodhimit të veshmbathjeve dhe këpucëve në krizë të thellë.


(29.07.2010 RV)Në Shqipëri kriza ekonomike ka prekur thellë dhe po rrezikon seriozisht sektorin e prodhimit të veshmbathjeve dhe të këpucëve. Në vitin 2009 ishin afro 11 mijë punëtorët e pushuar nga puna. Kështu deklaroi Bardh Sejdarasi, drejtor i Dhomës Kombëtare të prodhuesve të veshmbathjeve dhe këpucëve gjatë një mbledhjeje të Këshillit Kombëtar të Punës ku morën pjesë përfaqësues të Institucioneve, të sindakatave dhe të ndërmarrjeve. Sipas Sejdarasit, mungesa e mbështetjes financiare nga ana e shtetit ka bërë që pushimet nga puna të kthehen në problem të madh. Sipas një sondazhi të Fondacionit Soros dhe USAID gjendja e punëtorëve të pushuar është dramatike. Për të mbijetuar ata marrin borxh në bankë ose i marrin ushqimet me listë. Sondazhi vë në dukje se 66 përqind e punëtorëve të intervistuar thotë se nuk ka të ardhme në Shqipëri dhe se me liberalizmin e vizave do të përpiqet të emigrojë. Është kjo diçka shqetësuese për industrinë e lehtë shqiptare, sepse siç theksoi drejtori i Dhomës Kombëtare të Punës, Sejdarasi, “këpucët janë artikulli kryesor i eksportit shqiptar.” Në fakt Shqipëria është në vend të gjashtë në botë për sasinë e këpucëve të eksportuara.







All the contents on this site are copyrighted ©.