2010-07-29 17:16:10

SHBA: Bllokohet “ligji Arizona”, diskriminues për emigrantët.


(29.07.2010 RV)Pas një studimi që zgjati disa javë, Suzan Bolton, gjykatëse distrikti, dha dje vendimin në lidhje me “ligjin Arizona”. Pjesa më problematike e tij, sipas gjykatëses, është në kundërshtim me ligjin federal dhe kështu që nuk është e zbatueshme. Verdikti u dha pak orë para se të hynte në fuqi ky ligj që ishte miratuar më 23 prillin e kaluar. Ligji në fjalë, promovuar nga guvernatorja e shtetit të Arizonës Jan Bruer, sipas gjykatëses Bolton, nuk ka marrë parasysh normat më të rëndësishme që lidhen me drejtësinë dhe që duhen studjuar në thellësi. Më konkretisht, sikur të hynte në fuqi, ligji do ta autorizonte policinë t’i kërkonte dokumentetet kujtdo dhe pa arsye të justifikueshme, do të mjaftonte edhe ngjyra e lëkurës. Ligji shkelte edhe disa norma për arrestimin e individëve. Dje në mbrëmje, me mijëra emigrantë hispanikë, në SHBA ishin mbledhur së bashku në lutje në famullitë e tyre për të pritur vendimin e gjykatëses. “Kishte muaj që këta prisnin me ankth e frikë në zemër se do të arrestoheshin e riatdhesoheshin me forcë në vendin e prejardhjes.”- deklaruan për shtypin ipeshkvijtë e shtetit të Arizonës, Xherald F. Kicanas, Xh. Olmsted, Eduardo Nevares dhe Xhejms Galup, të cilët qenë ndër të parët që shprehën gëzim për këtë vendim të kënaqshëm të gjykatëses Bolton.







All the contents on this site are copyrighted ©.