2010-07-29 15:55:58

Letër e kardinalit Dias ipeshkvijve dhe meshtarëve të Kinës kontinentale


(29.07.2010 RV)Pavarësisht nga vështirësitë e vuajtjet, duhet të vazhdohet me guxim rruga e bashkimit në gjirin e Kishës: kështu shkruan prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Ivan Dias në letrën drejtuar ipeshkvijve dhe meshtarëve të Kinës kontinentale, në përfundim të Vitit Meshtarak.
Kardinali thekson shembullin e besnikërisë së katolikëve kinezë ndaj Papës e Selisë së Shën Pjetrit, të cilën shpesh e kanë paguar me vuajtje e persekutime nga ana e regjimit komunist. Por pikërisht bashkimi me Shën Pjetrin e pasardhësit e tij, shkruan kardinali Dias, duke cituar Benediktin XVI, është garanci lirie për barinjtë e Kishës e për bashkësitë, që u janë besuar atyre.
Përmasa tjetër e bashkimit ndërmjet të krishterëve, vazhdon letra, është uniteti ndërmjet anëtarëve të bashkësisë kishtare. Kardinali Dias lavdëron përpjekjet që ipeshkvijtë dhe meshtarët kinezë po bëjnë në këtë drejtim, megjithë vështirësitë e lidhjes e pengesat e panumërta burokratike. Lutemi për ju, u thotë prefekti për Ungjillëzimin e Popujve, që e përfundon letrën, duke kujtuar figurën e shën Gjon Maria Vianejt, Famullitarit të Shenjtë të Arsit, të cilin e merr si model për meshtarin. Ai, shkruan kardinali, duhet të jetë njeri i Zotit e i të tjerëve, duhet të dallohet në lutje e në jetën e rregullt, duhet t’i rezistojë dëshirës për t’u pasuruar, ose për të kërkuar favore. Shembulli për t’u ndjekur, u thotë kardinal Dias meshtarëve të Kinës, është jezuiti, atë Mateo Riçi, misionar i paharrueshëm në ato troje.








All the contents on this site are copyrighted ©.