(29.07.2010 RV)Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925.
Ai mori edukatë klasike në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit
jezuitë. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri,
Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student
në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie,
gjuhë klasike dhe sllavistikë, një botë e re kjo për një intelektual si ai, të edukuar
në Shkodër. Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion
sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe
me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë
balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Atje nën kujdesin
e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës "Shejzat" (1957-1975) dhe studion së afërmi
botën arbëreshe. Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht
në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia. Camaj u bë profesor i gjuhës
dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën,
deri sa vdiq, më 1992. Kontakti me kulturat e ndryshme perëndimore, njohja e poezisë
moderne të poetëve më të njohur botërorë (Camaj ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja),
ndikuan në formimin e tij kulturor, ndërsa vepra e tij, qoftë në prozë apo në poezi
mbështetet tërësisht në gjuhën shqipe dhe si përmbajtje i ka rrënjët në kulturën shqiptare,
sidomos në mitin e trashëguar. "Prandaj nuk është e rastit që Camaj zgjodhi për të
banuar një vend të shkëlqyer, me atmosferë disi të paqme e të virgjër shtëpijake,
si alpet e Bavarisë, që çdo çast i kujtonin malet e thepisura të vendlindjes, ku nuk
mund të kthehej kurrë", shkruan studjuesi i njohur Robert Elsie. STUDIMET Në
të njëjtën kohë Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet
e tij mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund
të përmenden: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden
1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden
1984; si dhe antologjinë Këngë shqiptare, Düsseldorf 1974.