2010-07-29 16:23:23

Cilat mund të jenë propozimet e Serbisë për Kosovën paraqitur OKB-së? Me ne prof. Roberto Moroco dela Roka.


(29.07.2010 RV)RealAudioMP3 Serbia i paraqiti dje Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së një propozim për zgjidhjen e “çështjeve të hapura” në lidhje me Kosovën, në të cilin nxit për një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Por teksti i hartuar nga Ministria e Jashtme e Serbisë nuk e përmend fjalën “pavarësi”, pikërisht tani, pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Hagës, e cila tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e cënon të drejtën ndërkombëtare. Po, cila mund të jetë një zgjidhje e pranueshme për Beogradin? Çfarë synon të arrijë Serbia me këtë propozim?
Në mikrofonin tonë përgjigjet docenti i Historisë së Evropës Lindore pranë Universitetit “Roma Tre”, Roberto Moroco dela Roka:

Përgjigje: Për Beogradin në këtë moment, zgjidhja e pranueshme është një autonomi e gjerë, shumë e gjerë, por jo pavarësi. Mbase Beogradi nuk e di shumë mirë se çfarë kërkon, ndoshta edhe ndonjë ndarje, copëtim, por kurrsesi pavarësi.

Pyetje: Po për Prishtinën, e cila përsërit se pavarësia nuk është në diskutim, cila mund të jetë zgjidhja?

Përgjigja: Asnjë tjetër përveç pavarësisë. Shqiptarët, sigurisht, do ta refuzojnë një propozim të ngjashëm serb për Kombet e Bashkuara. Edhe aleatët kryesorë të shqiptarëve, SHBA, do ta refuzojnë. Sigurisht, do të kishte qenë mirë që marrëveshja të ishte arritur që në fillim. Pak më shumë se një e treta e shteteve të botës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pra dy të tretat nuk e kanë njohur ende. Sidoqoftë shqiptarët nuk e marrin parasysh këtë gjë dhe shpresojnë se dalëngadalë edhe shtetet e tjera do t’i njohin.

Pyetje: Si mund të interpretohen ngjarjet e fundit, tani, pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Hagës në favor të shqiptarëve?

Përgjigje: Beogradi nuk mendon se e ka humbur davanë e Kosovës. Në Ballkan, situata prezente, nuk merret kurrë si përfundimtare. (...)

Pyetje: Po atëherë, e ardhmja e Prishtinës dhe e Beogradit nga kalon?

Përgjigje: Kalon nëpër një marrëveshje të fqinjësisë së mirë, që mund të jetë në favor të të dyja palëve, si të shqiptarëve ashtu edhe të serbëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.