Udhëtimi i Papës në Britaninë e Madhe. Intervistë me përgjegjësin shtetëror për vizitën
e Benediktit XVI.
(28.07.2010 RV)Në Skoci e Angli vlojnë përgatitjet për të pritur Papën Benedikti
XVI, i cili do të shkojë atje në udhëtim apostolik, nga 16 deri më 19 shtator. Është
vizita e parë shtetërore e një Pape në Britaninë e Madhe, pasi udhëtimi i Gjon Palit
II në vitin 1982 kishte vetëm përmasë kishtare. Më 16 shtator, Benedikti XVI do të
pritet nga Mbretëresha Elizabeta në Pallatin “Holyrood House” në Edimburg. Mbi përgatitjet
dhe mbi pritjen e Atit të Shenjtë flet në mikrofonin tonë i ngarkuari i kryeministrit
për udhëtimin papnor, Lord Kristofer Paten, gjatë vizitës së tij në Radio Vatikan: Jam absolutisht
i bindur se të gjitha përgatitjet e filluara nga qeveria, nga administratat lokale,
nga Konferencat Ipeshkvnore të Skocisë e të Anglisë do të bëjnë që vizita e Papës
të jetë një sukses i jashtëzakonshëm. Cila është, sipas jush, sfida më e madhe
për javët e ardhshme? Fakti që njerëzit ndoshta e kanë nënvleftësuar sa e ndërlikuar
është të përputhen aspektet tipike të një vizite shtetërore me ato të një vizite baritore.
Edhe vetë presidenti Obama nuk mund të dalë për të takuar kështu, thjesht, njëqindmijë
persona në vend të hapur! Kemi pasur vështirësi në organizimin e këtyre takimeve,
por tani kemi ecur përpara. Më duket se programi është shumë interesant! Të paktën
unë shpresoj që, jo vetëm bashkësia katolike, bashkësia e besimtarëve do të jetë në
gjendje t’i qëndrojë pranë Papës gjatë takimeve të tipit baritor, por që edhe qeveria
e një vendi ku shumica nuk është katolike do të arrijë të tregojë se ka fusha e mundësi
të jashtëzakonshme bashkëpunimi me Kishën Katolike: barazia globale, ndryshimet e
klimës, mbrojtja e ambientit… Nëse shpjegojmë tani rëndësinë e kësaj ngjarjeje, do
t’i çudisnim ata që fillimisht s’bënin tjetër veçse kritikonin… Vërtet, ka
pasur kritika kundër vizitës së Benediktit XVI në Britaninë e Madhe. Sipas jush, kjo
krijon shqetësime serioze? Jo. Jetojmë në një shoqëri të lirë. Më duket se
pranohet nga të gjithë se nëse njerëzit duan të manifestojnë paqësisht, kanë të drejtë
ta bëjnë këtë! Kritikët, mendoj se përfaqësojnë pakicën e bashkësisë. Ajo që në të
vërtetë na shqetëson më shumë është garantimi, jo vetëm i sigurisë së Atit të Shenjtë,
por edhe i rregullit në takimet baritore, që të mos prishen, pasi kjo do të ishte
fyerje e madhe… Disa nga kritikat kanë të bëjnë me koston në rritje të këtij
udhëtimi papnor… Kostoja e vizitës, që bie mbi taksat e kontribuesve, arrin
në 10-12 milion, por nëse marrim parasysh se vitin e kaluar kemi pasur mbledhjen e
G20-ës, e cila zgjati një ditë e kushtoi 19-20 milion, duhet të mendojmë se çdo gjë
është mbajtur në kontekstin përkatës… Kohët e fundit, ju vetë keni thënë se
Britania e Madhe është vendi më i shekullarizuar, që ka vizituar Papa… U referohem
aspekteve si frekuenca e pjesëmarrjes në Meshë dhe masa me të cilën dëshira për t’u
dukur, sëbashku me agnosticizmin dhe ateizmin intelektual kanë gjetur gjithnjë e më
shumë hapësirë në opinionin publik dhe në media. Është një frazë në një libër shumë
të bukur të Xhulian Barns (Julian Barnes) mbi vdekjen (“Nothing to be afraid of” –
S'është gjë për të pasur frikë); Barns e fillon librin me këtë frazë, duke i thënë
të vëllait: “Nuk besoj në Zot, por më mungon!” Mendoj se sot, kjo është në bazën e
jetës së shumë njerëzve në vendin tonë. Ju keni folur edhe për intolerancë
ndaj fesë. Mendonit veçanërisht për Kishën Katolike, apo jo? Mendoj veçanërisht
për Kishën Katolike, pikërisht për shkak të rëndësisë së madhe të saj, të jetëgjatësisë
dhe të sigurisë me të cilën ajo pohon disa të vërteta themelore. Por kjo nuk më shqetëson
edhe aq! Mendoj se duhet të jemi koherentë e, kur bëjmë pohime të caktuara, duhet
të pranojmë se edhe ne kemi qenë intolerantë në të kaluarën… Në këtë kontekst,
sa e vështirë do të jetë që njerëzit ta kuptojnë mesazhin e Papës? Mendoj se
do të jetë më e lehtë nga sa mendohet, duke pasur parasysh temat e ngritura nga Kisha,
sidomos interesin e brezave të rinj për aspektet e drejtësisë shoqërore në nivel global:
ndoshta nuk dihet se 25% e arsimit në Afrikën subsahariane ofrohet nga Kisha; 25%
e asistencës shëndetësore në këtë zonë merret përsipër nga Kisha dhe grupet e lidhura
me të… Këto mesazhe do të kuptohen qartë, pikërisht falë pranisë së Atit të Shenjtë
në Britaninë e Madhe e falë takimeve që do të ketë. Prandaj, nuk jam aspak pesimist!