2010-07-27 13:14:19

Atë Gjon Shllaku, martir, në përvjetorin e lindjes


(27.07.2010 RV)Françeskani, atë Gjon Shllaku lindi në Shkodër, më 27 korrik 1907. Bir i Loro dhe i Rushe Ashtës, emri i tij i pagëzimit ishte Kolë. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët në Shkodër. Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Hollandë dhe në Sorbonë të Parisit, ku mori doktoratën. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Qe profesor i filozofisë, gjuhës frënge, politikës dhe ekonomisë, në liceun “Illyricum” të françeskanëve në Shkodër. Drejtoi gjithashtu shoqatën kishtare rinore “Antonianum. Qe publicist e drejtor i revistës kulturore “Hylli i Dritës”.
Regjimi komunist e arrestoi para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në 15 janar të vitit 1945 dhe e pushkatoi më 4 mars 1946 së bashku me Atë Gjon Faustin, Atë Daniel Dajanin, me seminaristin Mark Çuni e Qerim Sadikun.
Fjalët e tij të fundit para ekzekutimit, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!” Shprehje e heronjve të kohës moderne, shprehja e forcës së dhënë nga Shpirti Shenjt, si në të gjitha kohët heroike. Martir i vërtetë, për të cilin është hapur çështja e lumnimit sëbashku me 39 martirë të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.