2010-07-26 16:50:00

Papa i shikon Shenjtorët Ana e Joakini si simbol i vlerave njerëzore e shpirtërore të gjyshërve.


(26.07.2010 RV)Kisha kremtoi sot festën e prindërve të Virgjërës Mari, Shenjtorëve Ana e Joakini, gjyshja e gjyshi i Jezusit. Përvoja e tyre e jashtëzakonshme e ka nxitur disa herë Benediktin XVI për t’u kushtuar një sërë reflektimesh kushteve, në të cilat jetojnë gjyshërit, në një epokë kulturore, që ka prirjen t’i mënjanojë njerëzit e shtyrë në moshë. Epokë, që i shikon pleqtë si të padobishëm, pa e llogaritur fare pjekurinë e tyre, aq të çmuar për familjen e shoqërinë. Papa e prek disa herë këtë temë, duke pasur parasysh vlerën e njerëzve të kësaj moshe.

Plak, domethënë barrë. Me pak përjashtime, domethënë njeri që nuk është më në gjendje të prodhojnë asgjë. Njeri me shëndet të lig, që nuk mund të rrijë vetëm. Që kushton shumë më tepër, sesa vlen, sepse dikush duhet të kujdeset për të. Njeri, të cilit i ka ardhur koha të largohet nga skena! Kështu mendon sot bota për njerëzit me moshë të shkuar, kështu flet, kështu e kupton kohën, kur rinia perëndon e njeriu nuk ka më energji të ecë me ritmin e zakonshëm. E është kjo etiketa, që gjithnjë më shpesh u ngjitet pleqve në shoqërinë e konsumit, e cila respekton vetëm fitimin e dobinë.
Por në Kishë nuk është kështu. Kisha, siç pohoi, posaçërisht dy vjet më parë, Benedikti XVI i shikon gjithnjë me vëmendje të veçantë gjyshërit, duke vlerësuar lart si pasurinë e tyre njerëzore e shoqërore, ashtu edhe atë fetare e shpirtërore:
“Në të kaluarën gjyshërit kishin një rol të rëndësishëm në jetën e në rritjen e familjes. Edhe kur shtyheshin në moshë, vijonin të jetonin pranë bijve, nipave e edhe stërnipave, duke u kujdesur për ta e duke u flijuar me dashuri të pakufishme, pa asnjë rezervë. Sillnin në familje përvojën e jetës së gjatë personale e shoqërore, që vijonte të jetonte në kujtimet e tyre e në urtinë e tyre”. (2008)
Kjo epokë, për fat të keq, perëndoi, vëren jo pa keqardhje Papa, sepse evolucioni ekonomik e shoqëror solli me vete shndërrime të thella në jetën e familjeve. Në shumë vise të botës, në vend që të përparojë kultura e jetës, përparon ajo e vdekjes. E kjo kulturë u zë pritë sidomos atyre, që e kapërcejnë pragun e moshës së tretë, të cilëve u propozon me ngulm eutanazinë, si rrugëzgjidhje për të shpëtuar nga disa situata të vështira, në dukje, më të këqija se vetë vdekja. Si e ndjejnë veten pleqtë, në këtë skenë, ku luhet akti i fundit i jetës së tyre?
“Pleqtë, ndërmjet të cilëve shumë gjyshër, e ndjejnë se bëhen gjithnjë më shumë barrë e padurueshme për familjen. Atëherë detyrohen të jetojnë vetëm, ose në shtëpi pushimi, me të gjitha pasojat, që ka ky fund”. (2008)
E në sa flasim për një perëndim të tillë të jetës së shumë të moshuarve, nuk mund të mos u kundërvëmë ikonën e gjyshërve të Krishtit: Shën Anës e Shën Joakinit që, në disa interpretime artistike, i shohim duke u kujdesur me dashuri një herë për Marinë e vogël, e më pas, për nipin, Jezusin. Ata luajnë, pranë tij, atë rol, që tashmë shoqëria, e dehur nga miti i rinisë së përjetshme, e ka harruar fare. Në shoqërinë konsumistike, ca prindërve u pëlqen më shumë ta lenë fëmijën nën kujdesin e kompiuterit, sesa të gjyshit a të gjyshes, ndërsa, na kujton Papa:
Detyra edukative e gjyshërve është gjithnjë shumë e rëndësishme, e bëhet edhe më shumë kur, për arsye të ndryshme, prindërit nuk janë në gjendje t’u qëndrojnë si duhet pranë bijve të tyre, në sa hedhin shtat”.(2008)
Gjyshërit, që jetojnë në dhomën kryesore të shtëpisë, e jo në një dhomë të harruar azili pleqsh, janë simbol me vlerë të madhe. Dëshmojnë se ka ende shoqëri, që nuk e kanë humbur fytyrën e tyre njerëzore.
Kurrë e për asnjë arsye, pohon Benedikti XVI, gjyshërit nuk duhen përjashtuar nga vatra familjare. Ata janë thesar, që nuk mund e nuk duhet t’ua mohojmë breznive të reja, posaçërisht kur japin dëshmi feje:
“Uroj që gjyshërit të bëhen rishtas prani e gjallë në familje, në Kishë e në shoqëri. E përsa i përket familjes, uroj të jenë gjithnjë dëshmitarë të unitetit, të vlerave, bazuar mbi besnikërinë ndaj një dashurie të vetme, nga e cila buron feja e gëzimi i të jetuarit”.
Vitin e kaluar 26 korriku ishte e dielë e Papa kalonte pushimet në lë Kombë të Vale d’Aostës, prej nga, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, bekoi gjyshërit e mbarë botës pikërisht në festën e Joakinit e të Anës, gjyshër të Jezusit, duke kujtuar se janë të thirrur për të luajtur një rol të dorës së parë në edukimin e nipërve. Prej këndej, ftesa për t’i kushtuar një lutje gjithë gjyshërve, të cilët në familje janë ruajtësit e traditave e, shpesh, edhe dëshmitarë të vlerave themelore të jetës:
“Ia besoj mbrojtjes së Shën Anës e të Shën Joakinit mbarë gjyshërit e botës, duke u dhënë të gjithëve një bekim të posaçëm. Virgjëra Mari, që sipas një ikonografie të bukur, mësoi ta lexojë Shkrimin Shenjt mbi gjunjtë e nënë Anës, i ndihmoftë ta ushqejnë gjithnjë fenë e shpresën në burimet e Fjalës së Zotit”. (2009)







All the contents on this site are copyrighted ©.