2010-07-26 16:51:21

Në Santiago të Kompostelës, festa e madhe e Shën Jakut Apostull.


(26.07.2010 RV)Siç e theksoi edhe Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje në Santiago të Kompostelës ishte ditë e madhe feste. Kremtohej Shën Jaku i Madh, Apostull, Pajtor i Spanjës, varri i të cilit, sipas traditës, ruhet në Katedralen kompostelane. Riti i sivjetëm posaçërisht solemn, sepse i kremtuar në Vitin Shenjt jakobian, nisi në orën 10.00 me procesionin solemn në Sheshin e Obradoiros, përballë katedrales e vijoi me Meshën Shenjte, kryesuar nga kryeipeshkvi i Santiagos së Kompostelës, imzot Julián Barrio Barrio.
Gjatë homelisë, prelati nënvizoi se festa i nxit besimtarët ta thellojnë identitetin e tyre të krishterë, posaçërisht përballë vështirësive, që po kalon shoqëria spanjolle. Gjatë Meshës, pas Besojmës, Mbreti Huan Karlos i priu ‘ofrendës’, siç quhet në spanjisht lutja drejtuar Apostullit. Në mikrofonin tonë, imzot Barrio na kujton çastet kryesore të kremtimit të djeshëm:RealAudioMP3

Përgjigje: - Para se të nisja kremtimin e Meshës, u takova me Mbretin e Mbretëreshën: ishin ata që i prinë sivjet lutjes drejtuar Apostullit. Në qendër të lutjes, çastet e vështira, që po jetojmë, e kuptimi i vetë jetës sonë mbi tokë. M’u duk e rëndësishme të kujtoj se njeriu ka gjithnjë më shumë nevojë për Zotin e ka nevojë edhe ta kuptojë jetën si shërbim, duke qenë i vetëdijshëm se të krishterët e kanë për detyrë të punojnë për ta shndërruar realitetin në të cilin jetojnë, përmes dashurisë së Zotit, që na u dhurua, me forcën e Shpirtit Shenjt.

Pyetje: - Gjatë këtij Viti kompostelan këtu pritet një shtegtar jo i zakonshëm...

Përgjigje: - Për ne është gëzim i madh që Ati i Shenjtë do të vijë si shtegtar feje e si dëshmitar i Krishtit të ngjallur. Po bëjmë ç’është e mundur për ta mikpritur e dëshirojnë ta falënderojmë , që po vjen të nderojë Varrin e Shën Jakut Apostull.







All the contents on this site are copyrighted ©.