2010-07-26 14:29:47

Në Engjëllin e Tënzot, dhimbja e Papës për vdekjen e të rinjve në Duisburg. Në festën e Shën Jakut, përshëndetja shtegtarëve të Kompostelës.


(26.07.2010 RV)Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI shprehu dhimbjen e thellë për tragjedinë e Duisburgut, në Gjermani, ku pardje, gjatë një takimi muzikor, humbën jetën 19 të rinj. Më pas Ati i Shenjtë foli për festën e Shën Jakut Apostull, duke kujtuar se nëntorin e ardhshëm do të shtegtojë në Santiago të Kompostelës, me rastin e Vitit Shenjt Jakobian. Duke u ndaluar tek Ungjilli i së Dielës, përqendruar tek lutja kryesore e krishterë, Atyna, Papa nënvizoi se kush lutet nuk është kurrë vetëm, sepse lutja e tij gërshetohet me uratën e mbarë Kishës.RealAudioMP3

Me dhimbje të thellë Papa kujtoi të rinjtë, që humbën jetën në Duisburg, gjatë një feste muzikore, duke u shprehur familjarëve ngushëllimet e tij më të ndjera:
“Të dashur vëllezër e motra, mora me dhimbje të thellë lajmin për tragjedinë e Duisburgut në Gjermani, në të cilën humbën jetën një numër i madh të rinjsh. I kujtoj në lutje të vdekurit, të plagosurit e familjarët e tyre”.
Më pas, duke folur gjermanisht, iu lut Zotit t’i ngushëllojë të afërmit, miqtë e dashamirët e të vdekurve me praninë e Shpirtit Shenjt, në këto çaste tejet të vështira e të hidhura.
Para se të kujtonte tragjedinë e Duisburgut, Papa u ndal tek Ungjilli i së Dielës, në të cilin Jezusi u mëson dishepujve lutjen drejtuar Atit, Atynën. Fjalët e kësaj urate janë të parat, që mësojmë nga Shkrimi Shenjt, që në moshë fare të njomë e shpesh, në prehër të nënës:
“Ato nguliten në kujtesë, i japin formë jetës sonë, na shoqërojnë deri në frymën e fundit. E na kujtojnë se ne nuk jemi ende plotësisht bij të Hyjit, por duhet të bëhemi e të jemi gjithnjë, përmes bashkimit përherë më të thellë me Jezusin. Të jesh bir i Hyjit, do të thotë të ndjekësh gjurmët e Jezu Krishtit”.
Ripohoi, kështu, se kur themi lutjen drejtuar Atit, zëri ynë bashkohet me atë të Kishës, sepse kush lutet, nuk është kurrë vetëm:
Çdo besimtar duhet të kërkojë e mund të gjejë në vërtetësinë e pasurinë e lutjes së krishterë, që na mëson Kisha, udhën e tij, mënyrën e tij të lutjes… duke ecur atje, ku e frymëzon Shpirti Shenjt, i cili i prin, përmes Krishtit, tek Ati”.
Lutja drejtuar Atit tonë, që është në qiell, vijoi Papa, i pranon e i shpreh të gjitha nevojat materiale e shpirtërore të njeriut. Pikërisht për shkak të nevojave e vështirësive të përditshme, kujtoi Benedikti XVI, Jezu Krishti na nxit të lypim, të kërkojmë, të trokasim, derisa të na hapet porta, në prag të së cilës presim me besim e shpresë:
Nuk është kërkesë për të plotësuar dëshirat, por për të forcuar miqësinë me Zotin i cili, na e thotë gjithnjë Ungjilli, do t’u japë Shpirtin Shenjt të gjithë atyre, që e kërkojnë”.
E që na e jep me të vërtetë, e tregon jeta e etërve të lashtë të Kishës dhe e kundruesve të të gjitha kohëve të cilët, duke iu kushtuar me ngulm lutjes, u bënë miq të Zotit.
Pastaj Papa foli për festën e djeshme të Shën Jakut të Madh, Apostull dhe u drejtoi një përshëndetje të posaçme shtegtarëve të shumtë, mbledhur në Santiago të Kompostelës. Duke folur në gjuhën spanjolle, kujtoi se edhe ai vetë, në vjeshtë, do të shkojë, si shtegtar, për t’u lutur pranë Varrit të Shën Jakut:
“En este Año Santo Compostelano…”Në këtë Vit Shenjt Kompostelan, tha Papa, shpresoj të bashkohem me shtegtarët e shumtë, nëntorin e ardhshëm, në një udhëtim, gjatë të cilit do të vizitoj edhe Barcelonën. Benedikti XVI uroi, në vijim, që të gjithë ata, të cilët ecin në gjurmët e Apostullit, të japin dëshmi të vazhdueshme feje, shprese e dashurie të krishterë. Duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës italiane, në përfundim të lutjes mariane, kujtoi se në Kastel Gandolfo ishte “Sagra delle Pesche”, festa popullore e vjeljes së pjeshkëve. Një rast, shtoi Papa, për të falënderuar Zotin për frytet e tokës e të duarve të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.