2010-07-26 18:46:49

Kamboxhia: 35 vjet burgim për Duch, ish-udhëheqës i Kmerëve të Kuq


(26.07.2010 RV)Gjykata e përbërë, e ngritur në Kamboxhia nga OKB-ja, për të dënuar krimet e Kmerëve të Kuq të Pol Potit, dha dënimin e parë kundër njërit nga udhëheqësit e këtij regjimi gjakatar. E dënoi ‘shokun Duch” me 35 vjet mbyllje në qeli, për krime lufte e kundër njerëzimit. Ky shok partie ishte drejtor i burgut famëkeq të Tuol Sleng-ut, pranë Pnom-Penit, ku vdiqën të masakruar, më se 16 mijë të ashtuquajtur kundërshtarë të regjimit, duke arritur kështu suksesin socialist të ngritjes së një mali me kafka. Gjatë procesit, që nisi në mars, Duch u detyrua të pranojë se ishte drejtor i burgut, por duke mohuar se ka kryer vrasje të shëmtuara. Vrasjet ai i quajti thjesht zbatim i urdhërave të eprorëve. Gjithsesi, dënimi mund t’i reduktohet në 11 vjet (të cilat tashmë i ka vuajtur) për krimet e 5, për një shkelje tjetër të ligjeve kamboxhiane. Vendimi ngjalli polemika të ashpra nga familjarët e viktimave, që kërkonin për drejtorin xhelat e shokun-kriminel, të paktën, dënim me burgim të përjetshëm. Për këtë situatë na flet Emilio Asti, pedagog i kulturave lindore pranë Universitetit Katolik, i cili ka marrë pjesë për shumë vjet me radhë në projektet e bashkëpunimit në Kamboxhia:

Përgjigje: - Kujtimi i tmerrshëm i viteve të Kmerëve të Kuq peshon shumë rëndë mbi vendin, ku vijojnë të enden fantazmat e së kaluarës, në një komb, që nuk ka arritur akoma ta kapërcejë këtë goditje të hatashme kolektive. Tejet e dhimbshme, prandaj, të lash hesapet me të kaluarën. Plagët e vjetra rihapen e kullojnë gjak, sepse shumkush ka parë me sytë e vet familjarët e masakruar nga njerëz si ‘shoku Duch”, që ka shumë mundësi të dalë shëndosh e mirë nga burgu.

Pyetje: - Duch, i cili vitet e fundit thonë se është kthyer në fenë e krishterë, ka ngulmuar gjithnjë se nuk kishte rrugë tjetër, veçse të zbatonte urdhërat. Tani i pakësohen vitet, që do të kalojë në burg. Si u prit një vendim i tillë i gjykatës, ngritur nga OKB-ja?

Përgjigje: - Ka shumë mëdyshje në të gjithë vendin. Nuk duhet harruar se historia e Kamboxhias është e ngarkuar me ngjarje tejet të përgjakshme. Luftërat e brendshme nuk munguan në këto troje edhe para se të vinin në pushtet Kemerët e Kuq e shoqëria kamboxhiane ishte e tronditur si nga konfliktet e brendshme, ashtu edhe nga ndërhyrjet e jashtme. Duhet nisur rindërtimi, sidomos psikologjik, i indit shoqëror. E ky është proces, që kërkon kohë.

Pyetje: - Duhet menduar edhe se jo të gjithë përfunduan si ‘shoku i kuq’ i dënuar. Shumë nga liderët Kmer të Kuq, në vend që të ishin në ndonjë qeli, bëjnë pjesë në qeverinë aktuale ose kryejnë detyra me rëndësi në shoqërinë pas-kmere. Sipas jush, a mund ta frenojë kjo punën e gjykatës për dënimin e krimeve të kryera në vitet ’70?

Përgjigje: - Në një farë mënyre, po. Kamboxhia është një vend që pohon se tashmë e ka ndërruar faqen, ndërsa në të vërtetë mbetet ende tejet e lidhur me të kaluarën e vet, plot luftëra e masakra. Është vend, që nuk gjen paqe, stabilitet. E, veç kësaj, vijojnë të dalin gjithnjë më në pah kontradiktat e situatës aktuale, që karakterizohet nga tregu i lirë pa asnjë rregull, korrupsioni i përgjithshëm, në të gjitha nivelet, mungesa e plotë e drejtpeshimit shoqëror, dëmtimi i rëndë i ambientit, shpyllëzimi, mungesa e pikave të referimit e shtimi i akteve të dhunës. Situata e përgjithshme vijon të jetë e paqëndrueshme.

Pyetje: - Mendoni se nuk ka asnjë aspekt pozitiv?

Përgjigje: - Them se ka. Sidomos ndërhyrjet aktuale të Pime-s e të Konferencës ipeshkvnore italiane. Kii ka hapur një shkollë pranë kryeqytetit për formimin e të rinjve, që u përkasin shtresave më të varfëra e ka nisur edhe një program për luftën kundër analfabetizmit. Synon të aktivizojë popullsinë vendase; sinjal shprese, sidomos për të rinjtë. Ku program shpjegohet edhe në një libër, botuar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, me titull: “Tetë për mijë, Kisha italiane dhe Bota e Tretë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.