2010-07-26 18:46:37

Bruksel: Ministrat e jashtëm të BE-së flasin për dialog ndërmjet Prishtinës e Beogradit.


(26.07.2010 RV) Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vijuan sot diskutimet e tyre rreth Kosovës, pas shpalljes së mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. GJND-ja u shpreh se Deklarata e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Por, duke u bazuar në deklaratat e para të disa ministrave nga vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, shenjat se këto vende mund të ndryshojnë qëndrimin janë të pakta.
Ministrat e Spanjës dhe të Qipros pohuan se vendet e tyre nuk do ta ndryshojnë mendimin dhe nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Nga shumë burime të BE-së mësohet se në diskutimet e sotme shumë ministra përsëritën porosinë drejtuar Beogradit e Prishtinës për një dialog praktik, i cili do të ndihmonte në lehtësimin e marrëdhënieve në rajon, në përmirësimin e jetës së përditshme të njerëzve dhe në afrimin e integrimeve në Bashkimin Evropian.
Ata e mbështetën plotësisht porosisë që dha, në emër të BE-së, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kethrin Eshton, e cila, menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së, i ftoi Beogradin dhe Prishtinën ta shfrytëzojnë këtë fazë të re për nisjen e dialogut.
BE-ja pohon se është gati ta ndihmojë këtë dialog dhe i fton të dyja palët ta pranojnë ofertën.
Në anën tjetër, disa shtete të Bashkimit Evropian kujtojnë se në këtë dialog janë dy linja të kuqe. E para është se nuk mund të ketë rinegocim të statusit të Kosovës, pasi kjo çështje konsiderohet e përmbyllur, si dhe nuk mund të diskutohet për ndarje territoriale të Kosovës apo për shkëmbim territoresh.Sido që të jetë, edhe sot, deri në këto çaste, shihet se përfundimi në të cilin arriti GJND-së nuk ndihmoi shumë në krijimin e një mendimi unik në Bashkimin Evropian përsa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse, siç thonë në BE, Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet unik rreth angazhimit në Kosovë, përfshirë mbështetjen e plotë të EULEX-it, në ndihmë të zhvillimit ekonomik dhe në garantimin e një perspektive evropiane të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.