2010-07-24 11:17:02

Atë Federiko Lombardi: Ç’lloj pushimesh bën Papa?


Vera është kohë e përshtatshme për të dëgjuar Fjalën e Zotit. Kështu tha Papa gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar. Vetë Benedikti XVI ndodhet në rezidencën verore të Kastelgandolfos, që nga 7 korriku. Por si i kalon pushimet Ati i Shenjtë? Këtij argumenti ia kushton editorialin javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit:
“Prej disa ditësh, Papa ka filluar përgatitjen e vëllimit të tretë të veprës së tij të madhe mbi Jezusin. Pasi dorëzoi muajt e kaluar dorëshkrimin e vëllimit të dytë, kushtuar Mundimeve dhe Ringjalljes, për të cilin po përgatiten përkthimet dhe botimet në gjuhë të ndryshme e dalja në librari pranverën e ardhshme, Benedikti XVI vë dorë tani në pjesën e tretë dhe të fundit, kushtuar “Ungjijve të fëmijërisë”.
Ashtu siç kanë vërejtur vetë besimtarët, duke parë Papën me rastin e Lutjes së Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar, Benedikti XVI, pas pak ditësh në Kastelgandolfo, duket i ripërtërirë e buzagaz e filloi menjëherë t’i kushtohet leximit e studimit, aktivitete që, megjithëse impenjative, nuk e lodhin. E siç thamë më lart, filloi të punojë edhe për plotësimin e veprës së vet mbi Jezusin. Është e qartë pra, sa shumë e ka për zemër përfundimin e këtij projekti të madh, filluar vite më parë. Në Parathënien e vëllimit të parë, Papa kujton se filloi të punojë “gjatë pushimeve verore të vitit 2003”, se i dha formë përfundimtare kapitujve nga 1 deri në 4, në gushtin e vitit 2004 e vazhdon: “Pas zgjedhjes sime në selinë ipeshkvnore të Romës, kam përdorur të gjitha çastet e lira për të shkruar librin”.
Me rastin e Sinodit të ipeshkvijve mbi “Fjalën e Zotit” shumë diskutime vunë në dukje rëndësinë e madhe të kësaj vepre të Papës, si model për leximin teologjik e shpirtëror të Ungjijve, si udhërrëfyese të besimtarëve për t’u takuar – përmes Ungjijve – me personin e Jezusit, me “Jezusin real, me Jezusin historik në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale”, pohon me vendosmëri Papa. Na çon drejt takimit me Jezusin! Jemi në zemrën e shërbimit të pasardhësit të Pjetrit për Kishën e për njerëzit e çdo kohe. Kësaj ia kushton “pushimet” Benedikti XVI. Faleminderit. Pushime të mbara pra, o Atë i Shenjtë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.