2010-07-23 19:38:06

Toka e Shenjtë: shtohen shtegtimet nga mbarë bota.


Në muajt e parë të 2010-tës Tokën e Shenjtë e vizituan më se 1 milion e 600 mijë shtegtarë e turistë. Arrijnë kryesisht nga SHBA, Rusia, Franca, Britania e Madhe, Gjermania e Italia. Si mund ta shpjegojmë këtë të dhënë statistikore kaq optimiste, që shënon një rritje prej 39% të numrit të shtegtarëve, në krahasim me vitin 2009? Përgjigjen na e jep Atë Pierbatista Pizabala, Rojtar i Tokës së Shenjtë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Kemi të bëjmë me një sërë faktorësh. Në radhë të parë, flitet më pak për problemet e Tokës së Shenjtë, duke u ndaluar, ndoshta, vetëm tek ndonjë krizë episodike. Toka e Shenjtë nuk paraqitet më si vend dhune. Pastaj duhet theksuar veprimtaria e konferencave ipeshkvnore, e dioqezave, e famullive, që po punojnë shumë në këtë drejtim, duke i nxitur besimtarët të shtegtojnë në Tokën e Shenjtë. Duhet kujtuar edhe veprimtaria e mirorganizuar e autoriteteve qeveritare si dhe e punonjësve të sektorit, për të krijuar kushte ekonomikisht të pranueshme. Të gjitha këto, marrë së bashku, bënë të rikthehet interesi për Tokën e Shenjtë. E duhet theksuar se nuk është e interesuar vetëm Evropa, por jashtëzakonisht shumë, e kjo është një gjë e re, edhe Azia.

Pyetje: - Mund të themi se, përveç ndonjë lajmi rastësor, për Tokën e Shenjtë flitet më pak negativisht e më shumë pozitivisht, në këndvështrimin mediatik…

Përgjigje: - Në jetën e përditshme situata është përmirësuar. Nuk ka më dhunë të përditshme në Territoret palestinese. Ndoshta flitet pakëz për Gazën, por kjo është zonë që s’ka të bëjë me shtegtimet. Në jetën e përditshme këtu nuk perceptohet shumë tensioni. Mbetet kryesisht në nivelin e mungesës së komunikimit ndërmjet palëve, ndërsa në Territoret, situata nuk është aq problematike, siç ishte ndonjë vit më parë.

Pyetje: - A ndikoi vizita e Papës në Tokën e Shenjtë më 2009 për këtë situatë kaq optimiste të shtegtimeve?

Përgjigje: - Papa sigurisht solli një kontribut shumë të rëndësishëm. E bëri Tokën e Shenjtë të dukshme në të katër anët e botës. E pastaj, kjo vizitë tingëlloi edhe si thirrje, ndonëse jo e drejtpërdrejtë, për Kishat e mbarë botës, që të bënin edhe ato shtegtime në këto vise.

Pyetje: - E pastaj, nuk duhet harruar se kjo rritje e numrit të shtegtarëve ka rëndësi jetike për familjet e krishtera, rojtare të fesë në këto troje, djep i krishterimit…
 Përgjigje: - Shumica e të krishterëve në Tokën e Shenjtë janë tejet të lidhur me shtegtimet e një rikthim kaq masiv i shtegtarëve, krijon frymë sigurie në jetën e tyre, pas kaq vitesh pa shtegtime, që do të thotë pa mjetet kryesore për jetesë. Tani kanë shumë punë, e jo vetëm në Izrael, por edhe në Territoret. Madje po ndërtohen shumë hotele të reja. Gjithçka lëviz. Uroj, prandaj, të fuqizohet stabiliteti e qetësia e shumë familjeve të krishtera, e jo vetëm atyre…Sepse paqja nuk sigurohet vetëm përmes marrëveshjeve të të mëdhenjve, por edhe, e sidomos, përmes realitetit të jetës së përditshme. Kur familjet jetojnë në qetësi, krijohet baza për të krijuar edhe mendësinë e kulturën e paqes për të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.