Sot me 23 korrik përkujtojmë 361 vjetorin e lindjes së papës me origjinë shqiptare,
Klementit XI. Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik
1649 në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij,
ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve
(1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit
(23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet
Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër
papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve
të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen
e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk.
Dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës;
në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore
të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare
në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë. Krenar për prejardhjen e tij shqiptare,
u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në
historinë e Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbënit (1703) e për botimin
e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën
tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës
në trojet shqiptare. I dha kështu Dheut të të Parëve ndihmesën e tij të çmuar
për të hedhur hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të popullit, që
rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, një rreze drite, që t'ia ndriçonte shtegun
drejt lirisë. Kjo rreze, si shumë të tjera më pas, nisej nga Froni i Shën Pjetrit,
ku në atë kohë qe ulur Gjon Françesk Albani. O Zoti im, besoj
në Ty, ma përforco besimin; shpresoj në Ty, ma jep shpresën; të dua Ty, ma rrit dashurinë,
pendohem para Teje, ma shto pendesën. Të adhuroj, si fillesën e parë, të dëshiroj
si qëllimin e fundit, të lëvdoj, si bamirësin tim të përhershëm; të thërras në ndihmë,
si mbrojtësin tim sovran. Të lutem, më drejto me urtinë tënde, më gjyko me drejtësinë
tënde, më ngushëllo me mëshirën tënde, më mbro me fuqinë tënde. Ty t’i kushtoj,
o Zoti im, mendimet e mia, fjalët e mia, veprat e mia, vuajtjet e mia. Që sot e tutje,
do të mendoj veç për Ty, do të flas për Ty, do të veproj si të më thuash Ti, do të
vuaj për Ty. Dua atë që do Ti, siç e do Ti, sepse e do Ti! Të lutem o Zot,
ma jep urtinë, ma kalit vullnetin, ma pastro trupin, ma shenjtëro shpirtin. Më
ndihmo o Zot, të pendohem për mëkatet, të fitoj mbi tundimet, të praktikoj virtytet. Ma
mbush zemrën me dashurinë e mirësinë tënde, me mërinë për hipokrizinë, me zellin për
të afërmin, me neverinë për vesin. Më ndihmo ta mund koprracinë me lëmoshë, zemërimin
me ëmbëlsi, përtacinë me vetëmohim. Më ndihmo të jem i pjekur në këshilla, i qëndrueshëm
në rreziqe, durimtar në prova, i thjeshtë në sukses. Bëj, o Zot, të jem i përkushtuar
në lutje, i përmbajtur në të ngrënë, i zellshëm në punë, i qëndrueshëm në vendime. Më
mëso ta kem zemrën të pastër, veshjen të thjeshtë, bisedën bindëse, sjelljen të rregullt. Më
ndihmo ta sundoj natyrën, të jetoj sipas urdhërimeve të tua, të meritoj shëlbimin.
Bëj që të jem gati për të vdekur, t’i druhem gjykimit tënd, të shpëtoj nga ferri,
të fitoj parajsën. Nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë. Amen!