Imzot Tozo për Ditën Botërore të Paqes: pa lirinë fetare, politika do të ngrihej si
vlerë absolute
Dita Botërore e Paqes 2011, që do të kremtohet janarin e ardhshëm, do të vërë theksin
pikërisht mbi lirinë fetare. Tema e zgjedhur nga Benedikti XVI “Liria fetare, rrugë
për paqen”, të nxit të reflektosh për pasojat e diskriminimit fetar. Në botë
ka shumë zona, ku kjo liri vijon të kufizohet, si atje ku bashkësitë e besimtarëve
janë pakicë, ashtu edhe ku nuk janë pakicë e, megjithatë, përjashtohen nga pjesëmarrja
në jetën publike civile e politike. Për kuptimin e Ditëve Botërore të Paqes, të cilat
që nga 1968-ta kremtohen vazhdimisht në ditën e parë të çdo viti, të dëgjojmë sekretarin
e Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, imzot Mario Tozo:
Përgjigje:
- Me Palin VI kjo ditë nisi për t’i ftuar udhëheqësit e kombeve dhe njerëzit
vullnetmirë të ndërtojnë një shoqëri të re, një botë më të drejtë, në të cilën të
gjithë individët e të gjithë popujt të mund të gjejnë një mjedis të përshtatshëm,
ku ta zhvillojnë në mënyrë të gjithanshme personalitetin e tyre. Nuk është kremtim
formal, por detyrë. Për Palin VI perspektiva ishte ajo e qytetërimit të dashurisë.
Për Benediktin XVI, perspektiva vijon të jetë e njëjtë, por me theks të veçantë mbi
vëllazërimin ndërmjet njerëzve e popujve.
Pyetje: - Pse shqetësohet
kaq shumë Kisha, kur në botë mungon liria fetare?
Përgjigje: -
Per të paktën tri arsye themelore. Sepse, kur nuk ka liri fetare, mungojnë të gjitha
liritë e tjera. Për doktrinën shoqërore të Kishës, liria fetare është burim e sintezë
e të gjitha lirive të tjera e prandaj, kur nuk ka liri fetare, janë në rrezik të gjitha
liritë e të gjitha të drejtat e njeriut. Një arsye tjetër, është se mosrealizimi i
lirisë fetare e ndrydh dinjitetin e njeriut e të popujve, sepse liria fetare lidhet
në mënyrë të pazgjidhshme me dinjitetin e njeriut. E së treti, arsyeja që e shtyn
Kishën të interesohet, është se pa liri, vetë bashkësitë shoqërore, vetë shoqëritë
politike, mbeten pa kushtet, që u krijojnë mundësitë të realizojnë zhvillimin e tyre
të gjithanshëm.
Pyetje: - Duket paradoks, por pikërisht atje ku
ka liri fetare, feja vihet në plan të dytë e gjithnjë më shpesh, mbyllet në jetën
private të njeriut…
Përgjigje: - Mënjanimi i fesë në jetën
private, nuk varet aq nga liria fetare. Varet më tepër nga fenomene si laicizmi, shekullarizmi
fanatik, që synon ta zhveftësojë lirinë fetare. Madje do të dëshironte ta zhdukte
fare, ta mohonte plotësisht. Në se do të ndodhte kjo, për shkak të laicizmit, që e
nënvleftëson përmasën e mbinatyrshme, politika do të zinte vendin e fesë, duke fituar
vlerë absolute, do të barazohej me vetë Zotin. Prej këndej, do të paraqitej me fytyrën
e arrogancës, të pushtetit absolut.
Pyetje: - Pse lira fetare ka
rëndësi të dorës së parë për mbrojtjen e paqes në botë?
Përgjigje: -
Sepse kanë lidhje të ngushtë njëra me tjetrën. Liria fetare krijon mundësi për të
vënë rregull në jetën morale të njerëzve e të shoqërive, për të vendosur hjerarkinë
e vlerave, që sigurojnë realizimin si të individëve, ashtu edhe të bashkësive. E kjo
ndihmon për ta siguruar më lehtësisht edhe rendin shoqëror, rendin paqësor.
Pyetje:
- Sa rëndësi ka liria fetare për impenjimin civil të besimtarëve? Përgjigje:
- Liria fetare është themeli i impenjimit civil të besimtarit. Ajo e mbështet,
e ushqen impenjimin moral të qytetarit e prandaj duhet konsideruar si element i pandashëm
nga impenjimi civil e nga qytetërimi i popujve.