2010-07-22 16:09:25

Çelësi i fjalëve të Kishës:"Ligji" shikuar nga feja e krishterë


(22.07.2010 RV)Të dashur dëgjues, sot do të flasim për kuptimin që ka “ligji” për të krishterët. Njohim mirë ligjet njerëzore, hartuar për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet njerëzve në botë, por cilat janë ligjet e Atit të Gjithpushtetshëm e si janë kuptuar ato nga feja e krishterë? A janë të njëjta me ligjin njerëzor? Këtyre pyetjeve do të përpiqemi t’u japim përgjigje sot.

Termi “ligj”, në gjuhën teologjike, përdoret me kuptim të trefishtë. Së pari, për termin hebraik “Torah”, që në vetvete do të thotë “mësimdhënie” e që përfshin pesë librat e parë të Biblës: Zanafillën, Daljen, Levitikun, Librin e Numrave dhe atë të Ligjit të Përtërirë. Kjo fjalë hebraike, “Torah” pra, është përkthyer me termin “Ligj”, sepse pjesë të mëdha të këtyre librave (e në disa raste, si tek Levitiku ose tek Libri i Ligjit të Përtërirë, gati krejtësisht) përbëhen nga skema legjislative e normative jo vetëm fetare e morale, por edhe civile e penale. Që këtej rrjedh përdorimi i dytë i fjalës “ligj”. Pikërisht sepse nuk është një zbulesë abstrakte e misterit të Zotit, por na zbulon hyrjen e Hyjit në histori, Bibla tregon edhe rrugën konkrete e të përditshme për të ecur me Zotin e për të bashkëpunuar me planin e drejtësisë e të paqes së Atit Qiellor. Kjo rrugë shprehet përmes urdhërimeve e normave.
Në këtë dritë, termi “ligj” bëhet i njëjtë me “Fjalën e Zotit”, e kjo shihet qartë nga Psalmi 119, këngë me 22 strofa e 176 vargje, ku Ligji apo Fjala e Zotit përmendet me tetë terma hebraike: tôrah (ligj), dabar (fjalë), ‘edût (dëshmi), mishpat (gjykim), ‘imrah (thënie), hôq (dekret), piqqudîm (normë), miswah (urdhërim). Vlera simbolike e këtij kremtimi të Ligjit mishërohet në vargun 105 të Psalmit: “Fjala jote është dritëz për këmbët e mia, dritë për udhët e mia”. Është e natyrshme që në legjislacionin e pasur e të ndërlikuar biblik, disa urdhërime të marrin vlerë parësore e vendimtare: të mendojmë për shembull për Dekalogun (Dal 20), apo 10 Urdhërimet e Tënzot, ose mbi normën e rrethprerjes, si shenjë besëlidhjeje ndërmjet Zotit e popullit të vet, ose mbi atë të së shtunës, thelbi i kultit hebraik.
Profetët u përpoqën ta kalojnë Ligjin biblik nga horizonti ligjor, juridik e shoqëror në një këndvështrim më personal, më ekzistencial e shpirtëror. E pikërisht ky interpretim na çon në kuptimin e tretë të termit “Ligj”. Jezusi, në të famshmin Fjalim të Malit, me gjashtë “antitezat” (Mt 5,21-48), u përpoq ta kapërcente respektimin e jashtëm të normave të Ligjit, duke i plotësuar ato me dashuri, besnikëri, vërtetësi e drejtësi. Ishte një mënyrë për të afirmuar vlefshmërinë e Ligjit edhe për të krishterët, jo aq formulimin e tij, por thelbin shpirtëror. E në këtë rrugë do të ecë edhe Shën Pali Apostull.
Vërtet, është pikërisht Apostulli i Popujve që na ka lënë një reflektim të zgjeruar mbi Ligjin biblik. Në vetvete, ai është i shenjtë, i drejtë, shpirtëror (Rm 7,12.14.16), “u shpall prej engjëjve” (Gal 3,19). Por, ai nuk është në gjendje të na shëlbojë, nëse kuptohet si një sistem veprash, që njeriu duhet të kryejë, për të fituar shëlbimin vetëm me meritat e veta. Është njëlloj sikur një person i zhytur në kënetë, apo në rërë, të përpiqej të çlirohej vetë duke ngritur e tundur duart në ajër më kot. Nga humnera e mëkatit ku ne jemi zhytur, vetëm dora e Zotit mund të na nxjerrë, përmes Hirit të Tij, që çdo njeri e pranon me fe. Për këtë arsye, Apostulli thotë: “Njeriu shfajësohet me anë të fesë, pa veprat e Ligjit” (Rm 3,28). Kjo nuk përjashton faktin se Ligji, pas pranimit të hirit hyjnor, bëhet udhërrëfyes për jetën. E ky është “Ligji i Shpirtit Shenjt”. Ai na bën të kuptojmë se është dashuria, sinteza e shpirti i të gjitha normave (Rm 13,8-10; Gal 5,14).







All the contents on this site are copyrighted ©.